Lushtaku: Qeveria po ua cenon kompetencat komunave, pushteti lokal nuk do të heshtë
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas protestës së komunave të Kosovës kundër, siç ka thënë ai, qasjes së Qeverisë për dobësimin e pushtetit lokal dhe cenimin e kompetencave të komunave.
Lushtaku ka thënë se qeveria nuk mund t’ua marrë kompetencat komunave, t’ua lërë barrën financiare dhe më pas të kërkojë llogari për shërbimet që u ofrohen qytetarëve.
Sipas tij, protesta e sotme nuk ka qenë vetëm një kundërshtim institucional, por një përballje mes demokracisë dhe autoritarizmit.
Ai ka theksuar se pushteti lokal nuk do të heshtë përballë vendimeve që, sipas tij, cenojnë funksionimin dhe autonominë e komunave.
Lushtaku ka kërkuar respektimin e kompetencave të pushtetit lokal dhe zgjidhjen e problemeve ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal përmes dialogut institucional.
“Sot, komunat e Kosovës u ngritën fuqishëm kundër qasjes së Qeverisë që po e dobëson pushtetin lokal dhe po cenon kompetencat e komunave. Qeveria nuk mund t’i marrë kompetencat komunave, t’ua lërë barrën financiare dhe pastaj të kërkojë llogari për shërbimet ndaj qytetarëve. Kjo protestë është mbi të gjitha përplasje mes demokracisë dhe autoritarizmit. Pushtetet komunale janë të zgjedhura nga qytetarët dhe kanë mandat kushtetues e ligjor për t’i udhëhequr punët e tyre. Çdo përpjekje për t’i dobësuar ato është përpjekje për ta larguar vendimmarrjen nga qytetari. Sot ishte protesta e komunave, por mbi të gjitha ishte paralajmërim politik se pushteti lokal nuk do të heshtë përballë padrejtësive dhe cenimit të autonomisë së tij. Kosova ka nevojë për më shumë decentralizim, më shumë kompetenca dhe më shumë fuqi për komunat dhe jo për një Qeveri që kërkon ta mbledhë çdo vendim në kolltuqet e tyre!”, ka shkruar Lushtaku në “Facebook”.



