Protesta e komunave, Aliu me kritika ndaj qeverisë: Qytetarët dhe shqetësimet tona nuk meritojnë të dënohen e të ndëshkohen

01 shtator 2026 | 11:43

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë thirrje ndaj Qeverisë së Kosovës që t’i kompensojë komunat dhe të marrë përsipër financimin e obligimeve që burojnë nga marrëveshjet e nivelit qendror.

Në protestën e komunave në Prishtinë, para objektit të Qeverisë, Aliu ka deklaruar se komunat nuk janë të kryetarëve, por të qytetarëve dhe se problemet financiare po ndikojnë drejtpërdrejt në shërbimet që ofrohen për ta.

“Mjaft më me plagën financiare të komunave pa fajin e obligimeve të tyre, që po defunksionalizon e shkatërron qeverisjen lokale si tërësi. Komunat nuk janë të kryetarëve. Komunat janë të qytetarëve të tyre. Përtej ritmit e hoveve të politikës ditore, përtej një partie që qeveris me atë apo këtë komunë, qytetarët kanë nevojë për projekte zhvillimi e shërbime”, ka deklaruar Aliu.

Ai ka shtuar se komunat po përballen vazhdimisht me mungesë të buxhetit për realizimin e kërkesave dhe projekteve të qytetarëve.

“Qytetarët na besuan ta bëjmë më të mirë e më të lehtë jetën e tyre. Qytetarët e shqetësimet tona nuk meritojnë të dënohen, të ndëshkohen, të lihen në mëshirën e fatit”, ka thënë ai.

Aliu ka theksuar se kryetarët e komunave bartin përgjegjësi të përcaktuara me ligj dhe të deleguara nga qytetarët.

“Secili nga ne sot këtu bartim peshën e përgjegjësisë autorizuar nga ligji dhe deleguar nga besimi i qytetarëve. Gjithsecili nga ne sot ka veç një fjalë për çdo kërkesë të re të qytetarëve: ‘Është e pamundur, nuk ka buxhet për këtë nismë, nuk ka buxhet për këtë projekt’. Ky është refrani i dhimbshëm i gjendjes në të cilën lëngojnë tash e sa vite komunat. Kjo gjendje duhet të ndryshojë menjëherë dhe bashkë do ta ndryshojmë”, ka deklaruar Aliu.

Sipas tij, komunat duhet të kenë mundësi të fokusohen në zhvillim dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

“Komunat meritojnë të flasin me fjalorin e shpresës e zhvillimit, me projekte e me vizione, në konkurrencë për më të mirën me njëra-tjetrën, me vepra publike që kurorëzohen si dobi për qytetarët, jo më me fjalë varfanjake, jo me arka bosh të komunave të pashpresa e të pamundura për t’i dhënë zgjidhje edhe një kërkese fare të thjeshtë të qytetarëve që përfaqësojnë”, ka thënë ai.

Aliu ka theksuar se komunat janë institucionet e para ku qytetarët kërkojnë shërbime, duke përmendur arsimin, kujdesin parësor shëndetësor, mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapësirave publike, shërbimet sociale, si dhe mbështetjen për fermerët, bizneset, të rinjtë dhe familjet.

“Prandaj, kur dëmtohet buxheti i komunës, nuk dëmtohet vetëm një institucion, dëmtohet qytetari, nxënësi, mësimdhënësi, mjeku, fermeri, biznesi dhe secila familje që pret shërbime cilësore nga komuna e vet”, ka deklaruar Aliu.

Kryetari i AKK-së ka thënë se për vite me radhë komunave u janë bartur obligime financiare që, sipas tij, nuk janë krijuar prej tyre dhe për të cilat nuk janë siguruar mjetet nga niveli qendror.

Një nga barrët më të mëdha financiare, sipas Aliut, është ajo që buron nga kontratat kolektive.

“Kontratat kolektive janë negociuar dhe nënshkruar në nivelin qendror, pa pjesëmarrjen dhe pa pëlqimin e komunave, por faturat u janë dërguar komunave dhe ato kanë paguar miliona euro e po paguajnë këto obligime edhe sot kur po protestojnë”, ka thënë ai.

Aliu ka deklaruar se nga viti 2022 deri në gusht të vitit 2026, nga buxhetet komunale janë marrë qindra miliona euro për përmbushjen e obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive.

Sipas tij, me këto mjete do të mund të ndërtoheshin shkolla, çerdhe, rrugë, kanalizime, qendra shëndetësore dhe objekte sportive, si dhe të mbështeteshin fermerët, bizneset, të rinjtë, studentët dhe familjet në nevojë.

Ai ka theksuar se komunat nuk kundërshtojnë të drejtat e punëtorëve, por ka kërkuar që financimi i obligimeve të bëhet nga institucionet qendrore që lidhin marrëveshjet kolektive.

“Ne nuk theksojmë dhe nuk duam të mohojmë asnjë të drejtë të punëtorëve të secilit sektor, por buxheti duhet të sigurohet nga institucionet qendrore që lidhin marrëveshjet kolektive, sepse është krejt e papranueshme të tjerët të nënshkruajnë e të krijojnë obligime e komunat të paguajnë për këto”, ka deklaruar Aliu.

Ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i kompensojë komunat për mjetet e përdorura për financimin e obligimeve që burojnë nga vendimet dhe marrëveshjet e nivelit qendror.

Ndërkaq, Aliu ka ngritur edhe çështjen e normës së përvojës së punës për punonjësit publikë, duke thënë se ajo është ulur nga 0.5 për qind në 0.25 për qind pas miratimit të ligjit për pagat.

“Një çështje tjetër me rëndësi të posaçme, veçanërisht për punonjësit shtetërorë, është norma e përvojës së punës prej 0.5 për qind e dalë nga ligji i miratuar për pagat. Punonjësve publikë u është zvogëluar kjo normë nga 0.5 për qind në 0.25 për qind”, ka thënë Aliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka…