Ragmi Mustafi: Këtë vit s’ka libra falas për nxënësit në Luginë – Serbia po cenon të drejtën për arsim
Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka thënë se nxënësit shqiptarë në Luginën e Preshevës e kanë nisur vitin e ri shkollor pa libra falas, pasi, sipas tij, institucionet e Serbisë kanë bllokuar mjetet e ndara nga Qeveria e Kosovës për tekstet mësimore.
Mustafi ka bërë me dije se 3 mijë e 686 nxënës shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk i kanë marrë librat falas në ditën e parë të vitit shkollor.
“Sot, më 1 shtator 2026, 3.686 nxënës shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë e nisin vitin shkollor pa librat falas që u takojnë. Jo sepse librat mungojnë. Jo sepse Kosova nuk i ka ndarë mjetet. Jo sepse Këshilli Kombëtar Shqiptar dhe shkollat nuk janë përgatitur. Por sepse institucionet e Serbisë kanë bllokuar mjetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të dedikuara për tekstet mësimore të fëmijëve shqiptarë”, ka shkruar Mustafi në “Facebook”.
Sipas tij, rreth 2 mijë nxënës shqiptarë të tri shkollave të mesme në Preshevë dhe Bujanoc vazhdojnë të mësojnë pa kompletet e teksteve në gjuhën shqipe, sipas programeve të reformuara.
Mustafa ka kritikuar institucionet serbe, duke vlerësuar se bllokimi i mjeteve të dedikuara për librat shqip cenon të drejtën për arsim, barazinë e qytetarëve dhe ruajtjen e gjuhës dhe identitetit.
“Kur një shtet bllokon financimin e librave për fëmijë për shkak të prejardhjes së mjeteve, ai ndërhyn drejtpërdrejt në të drejtën për arsim, në barazinë e qytetarëve dhe në ruajtjen e gjuhës e të identitetit”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se tashmë rrezikohet edhe pajisja falas me libra e nxënësve shqiptarë të shkollave fillore, duke kërkuar që të garantohet e drejta e tyre për tekste mësimore në gjuhën amtare.
“Mund t’i bllokoni mjetet, por nuk mund ta bllokoni të drejtën tonë për librin shqip. Libra shqip. Libra falas. Barazi për çdo nxënës”, ka shkruar Mustafi.



