Tahiri: Marrëveshja LV-LDK u arrit, pse ende nuk po thirret seanca e Kuvendit?
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kanë vazhduar të paraqiten në Kuvendin e Kosovës, ndërsa deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk janë paraqitur në sallë.
Për këtë situatë ka reaguar deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, i cili ka ngritur pikëpyetje lidhur me mos-thirrjen e seancës konstituive, pavarësisht marrëveshjes politike të arritur mes LV-së dhe LDK-së për çështjen e presidentit.
Tahiri ka deklaruar se qytetarët kanë qenë dëshmitarë të marrëveshjes së arritur mes dy subjekteve politike, por, pavarësisht kësaj, seanca ende nuk është thirrur.
“Bllokimi po vazhdon edhe sot, duke mos u përgjigjur deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesuesi i seancës, i cili ka thënë se sapo të ketë marrëveshje politike në mes të partive politike do të thërrasë seancë. Ku jeni, ku është kryesuesi, ku janë LV-ja, ku është LDK-ja? Ata kanë marrëveshje. Populli i Kosovës e pa se ata kanë marrëveshje dypalëshe për presidentin”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka pretenduar se qëllimi i procesit nuk ka qenë zgjidhja e çështjeve institucionale, por ndarja e posteve.
“A e kuptoni që nga dita e parë qëllimi thelbësor nuk ka qenë as të prodhohet president konsensual, as debat mirëfilli dhe as t’i jepen Kosovës institucione dhe organe që e udhëheqin vendin, por i gjithë diskutimi ka qenë për poste”, ka deklaruar Tahiri.



