Abrashi: Marrëveshja me LDK-në për presidentin mbetet valide, shpresojmë të gjendet zgjidhje në takimin e radhës

02 shtator 2026 | 11:36

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka deklaruar se për partinë e tij marrëveshja me LDK-në për zgjedhjen e presidentit mbetet valide, pavarësisht kundërshtimit të saj nga gjashtë deputetë të LDK-së. Sipas tij, ky refuzim ka qenë i papritur dhe nuk do të duhej të ndodhte në këtë fazë.

Abrashi është shprehur për “RTV21” se shpreson që në takimin e radhës ndërmjet kryetarit të LV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të sqarohet situata dhe të gjendet një zgjidhje për çështjen e presidentit. Ai ka bërë të ditur se takimi ende nuk është caktuar.

“Është fatkeqësi çka ndodhi. Për LV-në ende është valide marrëveshja e arritur mes kryetarëve tanë, marrëveshje që ka marrë bekimin e dy kryesive të partive politike… Diçka si kjo ishte e papritur, ky refuzim i gjashtë deputetëve të LDK-së është diçka që nuk do të duhej të ndodhte në këtë fazë. Na vjen keq, pavarësisht vullnetit tonë për të bërë kompromis për të dalë nga kjo bllokadë, tash po hyjmë në një cikël të problemeve të cilat, siç po shihet, synimin e kanë zgjedhjet e panevojshme. Na mbetet të vazhdojmë takimet, konsultimet dhe të bëjmë përpjekjet maksimale për të dalë nga kjo situatë. Gjithsesi, e përshëndes takimin e radhës mes dy liderëve, kurdo që të mbahet, që të sqarohet situata edhe më tej dhe mundësisht të gjendet një zgjidhje që i eviton zgjedhjet. Nuk është caktuar ende takimi, s’ka diçka konkrete, por ekziston një vullnet pasi, pas këtyre rrethanave, duhet një sqarim. Takimi është shumë i nevojshëm. Neve na mbetet të besojmë dhe të shpresojmë se bëhet një zgjidhje; se cila është ajo, tani për tani është e paqartë”, ka deklaruar Abrashi.

I pyetur nëse do të kontaktojnë me deputetë të partive të tjera për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, Abrashi ka thënë se një gjë të tillë e bëjnë në vazhdimësi.

“Vazhdimisht ne jemi në kontakt me kolegët tanë të partive të tjera, jopublikisht. Asnjëri nuk e do këtë situatë, por zyrtarisht e publikisht të gjithë deklarohen pro krizës…”, është shprehur Abrashi.

Duke iu përgjigjur kërkesës së PDK-së dhe AAK-së për thirrjen e seancës konstituive, Abrashi ka përsëritur qëndrimin e LV-së se pa u zgjidhur çështja e presidentit nuk mund të procedohet tutje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), bazuar në informatat e…