Mustafa: 6 deputetët e LDK-së mbajtën qëndrim dinjitoz e të drejtë, s’u bënë pjesë e veprimeve që nënshtrojnë partinë

02 shtator 2026 | 12:32

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos votuar Bekim Sejdiun për president është i drejtë, legjitim dhe dinjitoz.

Mustafa ka theksuar se kjo nuk lidhet me një emër të veçantë, por me parimin që LDK-ja të mos bëhet pjesë e marrëveshjeve jashtëkushtetuese.

“Qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së e konsideroj të drejtë, legjitim dhe dinjitoz. Këtë qëndrim nuk e shoh në relacion me një emër të veçantë për president, por me parimin që të mos bëhen pjesë e marrëveshjes dhe veprimeve jashtëkushtetuese. Veprimeve që e nënshtrojnë LDK-në dhe e bëjnë përgjegjëse për një proces i cili është në përgjegjësi të partisë e cila ka dalë e para në zgjedhje”, ka deklaruar Mustafa për “Express”.

Mustafa ka folur edhe për votimin e presidentit, duke theksuar se kjo çështje u takon edhe subjekteve të tjera politike, përveç LV-së dhe LDK-së.

Ai ka shtuar se deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë sipas qëndrimeve të forumeve të emëruara nga një individ.

“Prolongimi i konstituimit të Kuvendit përtej kohës së përcaktuar me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese s’mund të përdoret si alibi për gjetjen e një figure konsensuale për president. Konsensusi, edhe pse nuk është kategori që e përcakton Kushtetuta, do të vlente nëse është vlerë që përfaqëson jo vetëm VV-në e LDK-në, por edhe PDK-në, AAK-në dhe deputetët e subjekteve joserbe. Së pari do të duhej të ekzistonte pajtueshmëri brenda çdo subjekti politik dhe pastaj ndërmjet subjekteve. Por çdo pajtimi do të duhej t’i paraprinte konstituimi i Kuvendit. Ndërkaq, në qoftë se mendon dikush t’i detyrojë deputetët të votojnë sipas qëndrimeve të forumeve të emëruara nga një individ, atëherë bëhet fjalë për mungesë elementare të njohjes së Kushtetutës, të demokracisë së brendshme dhe frymës së Statutit të LDK-së”, ka deklaruar Mustafa.

Të martën është mbajtur mbledhja e grupit parlamentar të LDK-së, ku Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Janina Ymeri kanë theksuar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president.

Bajrami dhe Ymeri kanë theksuar se nuk duan t’ia zgjasin jetën pushtetit të Albin Kurtit, ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar këtë zhvillim si “hap drejt shkuarjes në zgjedhje”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka…