Kosova merr vlerësim të veçantë nga FIFA, Arsene Wengeri falënderon FFK-në

03 shtator 2026 | 12:46

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka pranuar një letër falënderimi dhe vlerësimi nga shefi i zhvillimit global të futbollit në FIFA, Arsene Wenger, në të cilën ai ka shprehur mirënjohje për angazhimin dhe përkushtimin e federatës në themelimin e “FIFA Talent Academy Kosova”.

Në letrën drejtuar presidentit të FFK-së, Agim Ademi, Wengeri ka vlerësuar bashkëpunimin dhe punën e bërë nga federata në prag të themelimit të kësaj akademie, duke e cilësuar përkushtimin e FFK-së si thelbësor për avancimin e kësaj nisme. “Përkushtimi juaj i palëkundur ka qenë thelbësor në avancimin e kësaj nisme. Eventi historik i mbajtur në Prishtinë është dëshmi e profesionalizmit tuaj, përsosmërisë organizative dhe pasionit për zhvillimin e futbollit”, është thënë në letrën e Wengerit.

Ai ka theksuar gjithashtu se eventi i organizuar në Prishtinë nuk ishte vetëm një festë për këtë arritje, por edhe një moment frymëzues për të gjithë akterët e përfshirë në zhvillimin e futbollit.

Wenger ka vlerësuar veçanërisht mbështetjen dhe burimet e ofruara nga FFK-ja gjatë gjithë procesit, duke nisur nga harmonizimi me standardet e FIFA-s e deri te prezantimi i vizionit të akademisë. Sipas tij, këto përpjekje dëshmojnë rolin e rëndësishëm të Kosovës në zhvillimin dhe kultivimin e talenteve të futbollit, ndërsa njëkohësisht mund të shërbejnë si standard edhe për vendet e tjera.

Letra e plotë:

“FIFA Talent Academy Kosova”: Faleminderit për përpjekjet dhe bashkëpunimin tuaj të jashtëzakonshëm

I nderuar president,

Në emër të FIFA-s, dëshiroj t’ju shpreh falënderimet tona të përzemërta juve dhe të gjithëve në federatën tuaj për përkushtimin shembullor dhe bashkëpunimin e treguar në prag të themelimit të “FIFA Talent Academy Kosova”.

Përkushtimi juaj i palëkundur ka qenë thelbësor në avancimin e kësaj nisme. Eventi historik i mbajtur në Prishtinë është dëshmi e profesionalizmit tuaj, përsosmërisë organizative dhe pasionit për zhvillimin e futbollit. Ajo nuk ishte vetëm një festë e kësaj arritjeje të jashtëzakonshme, por edhe një moment frymëzues për të gjithë akterët e përfshirë.

Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë mbështetjen dhe burimet që keni ofruar gjatë gjithë këtij procesi, nga harmonizimi me standardet e FIFA-s e deri te prezantimi i vizionit tuaj gjatë eventit. Përpjekje të tilla e vënë në pah rolin kyç të Kosovës në zhvillimin dhe kultivimin e talenteve të futbollit, si dhe në vendosjen e një standardi për vendet e tjera.

Me kënaqësi presim që ta forcojmë edhe më tej partneritetin tonë, ndërsa ecim përpara në këtë kapitull të ri dhe emocionues. Së bashku, mund të vazhdojmë të ndërtojmë një trashëgimi të qëndrueshme për futbollin në Kosovë dhe më gjerë.

Edhe një herë, ju falënderojmë për përkushtimin dhe kontributin tuaj të jashtëzakonshëm për t’i dhënë çdo talenti në Kosovë një mundësi.

Me respekt,

Arsene Wenger

Shef i zhvillimit global të futbolli

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës,…