Rrëfenjat e një vere të gjatë, të çuditshme, të nxehtë dhe të ndryshme

03 shtator 2026 | 00:40

Shkruan: Ilir Kulla

1. Asnjëherë Shqipëria nuk mban mend që protestat janë bërë në stinën e verës. Përkundrazi, protestat në çdo kohë janë bërë në dimër, para pranverës, në të ftohtë, në akull, me kohën gri dhe me njerëzit të dëshpëruar apo të pakënaqur. Kështu ka qenë në ’90-’91, kështu ka qenë në ’92, në ’97, madje edhe kur Nano iku në 2004. Kështu ka qenë te mbikalimi i Zogut të Zi, ku ra dhe u mbyt në një gropë me ujë të ftohtë veterani Mhill, babai i poetit të ndjerë Agim Doçi, që protestonte kundër Partisë që mbështeste Agimi, PD-së së Berishës.

Kështu ndodhi edhe në janar të 2011-ës, kur u vranë katër protestues në Bulevard. Kështu ndodhi kur opozita iku nga Parlamenti në 2019, më 2 mars të 2020-ës, kur Presidenti organizoi një protestë shumë të madhe kundër qeverisë, kur u mbyt opozita me gaz lotsjellës në dhjetor të 2020-ës, atëherë kur një polic vrau një të ri në derë të shtëpisë së vet, në një rrugicë të Laprakës; kur “Doktori i madh” filloi “Revolucionin” kundër Lulit në Stadiumin Qemal Stafa; kur kërciti leva e qysqia te SHQUP-i etj., etj.

Kjo është hera e parë që protestat fillojnë me fillimin e verës dhe vazhdojnë gjatë gjithë stinës së verës, në mes të të nxehtit, me 40 gradë në qendër të Tiranës. Protestën nuk e prishi Botërori, nuk e shkatërruan pushimet, asgjë. Madje, kjo është protesta e parë në 36 vjet që nuk do të marrë as pushtetin; do vetëm që ata që kanë dhe kanë pasur pushtetin të shkojnë në burg. Ja, mbërritëm kësaj dite në historinë tonë demokratike që “askush të mos dojë pushtetin”.

2. Po si mbërritëm në këtë pikë?

Fiks 10 vjet më parë, në verën e nxehtë të 2016-ës, si asnjëherë tjetër në historinë tonë, u bë një “mega-orgji” parlamentare me 140 vota, si ajo kënga e këngëtares nga Kosova, Gilit: “Le të puthen, le të puthen, demokratë e socialistë”. Në fakt, u puthën vetëm Donald Lu dhe Romana Vlahutin!

Kishin të drejtë të putheshin. Sapo ishte realizuar një grusht shteti unik, me votat e atyre që u ishte bërë grushti i shtetit me kartonat e tyre, deputetëve të Republikës, të cilët kishin dhënë me PPP, shumë në modë në atë kohë, një nga sektorët më të rëndësishëm të shtetit dhe jetik për ruajtjen e demokracisë: Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë.

Gjithsej, jo më shumë se 1.500 veta, në të gjitha shkallët, ishin kthyer tashmë në një qeveri vetëqeverisëse të sistemit të Tyre, unike në botë, që nuk do t’i jepnin llogari as Qeverisë, as Parlamentit, as Presidentit, madje as medias (këta të fundit e kuptuan pas 10 vjetësh).

3. Po si u realizua e gjithë kjo histori e bukur që ngjan me filmin “Rrobaqepësi i Panamasë”?

Në fillim viktimat ishin disa nga ata brenda sistemit, si ish-Prokurori i Përgjithshëm, që u dënua për mosdeklarimin e plotë të vlerës së një apartamenti plazhi në Durrës; pastaj ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, që këtë apartament e kishte pasur në Golem. Turma nuk u kënaq me gjak, duhej më shumë gjak për turmën…

Këtu pastaj u ndanë në batalione ata që kishin bashkuar 140 votat me njëri-tjetrin dhe tani çonin padi kundër njëri-tjetrit.

Në fillim prej tyre ra dëshmor “Doktori i lavdishëm”. U akuzua për shtëpitë e dhëndrit, i cili, vetëm falë moshës, përfundoi që për një vit të tërë bënte xhiro te tarraca e pallatit për të marrë ajër të pastër dhe akuzonte Edi Ramën, me të cilin ishin “puthur” kur kishin bërë 140 votat në 2016-ën, ndërsa në darkë mblidheshin rreth 100 veta dhe bënin miting qëndrese poshtë shtëpisë së doktorit.

Pastaj “miletit” që donte gjak iu servir ai i zv.Kryeministrit, atij që mileti e njihte me pseudonimin Tigri. Këtij të fundit, për shtëpitë e grave të tij, si gjirokastrit që ishte, i nuhati edhe kurthin që po i bëhej, edhe faktin që shumë brenda llojit po kënaqeshin për shkatërrimin e tij dhe iku në Zvicër, ku vazhdon dhe hedh mina me sahat kundër qeverisë dhe maxhorancës ku ishte vetë, dhe atyre që ishin kënaqur me shkatërrimin e Tij.

Pastaj iku Presidenti që i kishte bërë bashkë ato 140 vota, kur ishte Kryetar Kuvendi, dhe mburrej me këtë fakt. Madje atë e morën me forcë dhe me spektakël, meqë kishte bërë “të fortin” dhe kishte denoncuar “Mafien Ndërkombëtare”. Këtë e akuzuan për Shtëpinë e Gruas.

Nuk mbaruan me kaq, por filluan të merren me avokatin “më të madh” të Reformës, Kryetarin e Bashkisë. Këtij, pasi i bënë për një vit protesta poshtë zyrës me një koalicion “jozyrtar” Belo-Bela, e morën me letra anonime të koalicionit Nesti-Nasta, me një superspektakël, kur gazetarët po e prisnin jashtë zyrës.

Nuk mbaruan këtu, por meqë Kryetari i Bashkisë është një tip shumë mediatik, ja shpalosën të gjitha “hiret” e fisit të gruas, nga shtëpia në plazh e vjehrrit e deri te të brendshmet e familjarëve.

Madje, për ta torturuar më shumë psikikisht, e shkarkuan, por një dorë e ngrohtë e “Zotit” e ruajti dy herë në Kushtetuese, duke i dhënë të drejtë, dhe mbeti në detyrë dhe në paraburgim.

Këtë verë pata një ftesë nga Albano Carrizi, këngëtari i famshëm dhe miku im, në shtëpinë e tij në Brindizi. Disa miq të tij po më thonin: “Sa e bukur Tirana, sa e zhvilluar, sa teknologjike! Bravo atij që e ka bërë, bravo, bravo!” Ia pata unë: “Por ai që bëri këtë është në burg dhe, mesa di unë, për një vit e gjysmë, nuk ua kanë dhënë as rrogën atyre që la pas në zyrë.”

Më në fund, mesa duket, i ka mbërritur era e papastërtive që s’pastrohen më në Tiranë dhe e kaosit, vendosi të ndryshojë disa gjëra të rëndësishme në Bashkinë e Tiranës.

Lexova disa që thonin: “Kryetari Veliaj po bën grusht shteti në Bashki”… Qeshja me vete. Këtij vetëm nëna e vet, 70 e kusur vjeçe, i ka ngelur tërësisht besnike. Ky, që në të vërtetë është shprehja më origjinale e asaj që ka ndodhur në këto 10 vjet të shpejta në Shqipëri.

Mbaruan me Kryetarin dhe mbetej vetëm njëra në radhë: Zv.Kryeministrja, ajo që para një viti dukej si njeriu më i pushtetshëm në vend, sot ka akuza sikur të ketë bërë krime lufte, jo punë publike.

Por edhe zonja në fjalë i ka bërë hyzmet kësaj loje me rulete ruse të politikës ndaj vetes, herë në luftën brenda llojit kundër Bashkisë e herë brenda partisë e qeverisë.

Duket sikur të gjithë ata që rrethojnë të vetmin që ka mbetur, të fundit të Mohikanëve, janë të destinuar të kenë një fund të lodhshëm e të vështirë.

Ndërkohë, vetë ai, i fundit i Mohikanëve, po merret me “Besën”, gjetjen e fundit të Tij.

Sot kishte dalë në krah me atë që deri para një viti e quante Gjeli i Detit të Peqinit; para një jave postoi atë që deri para ca kohësh ishte zëdhënësja e PD-së, që e quante Kryeministri i Kokainës.

Si akti i fundit ishte dhe rënia e “dëshmorit të fundit” te Plepat e Durrësit, e atij zv.Kryeministri në hije, që ish-zv.Kryeministri jo në hije e quante koordinatori i Krimit.

Si përfundim, në fillim të kësaj vjeshte të nxehtë kemi prapë ata që duan të çojnë në burg ata që janë në pushtet, por nuk duan të vijnë vetë; kemi në burg ata që çuan veten në burg, pavarësisht se duhet të ishin në punë e në shtëpi; kemi stuhi e perfeksion të kaosit perfekt që, në perfeksionin më të madh të epokës Digjitale, të Diellës edhe më e zhurmshmja Zeqine, ka ngelur pa fjalë e po hesht.

Kur të rritet edhe pak, dikush do t’i dhurojë me autograf librin “Flamingo Revolution, ky Grushtshteti perfekt”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka paralajmëruar se çmimet e…