Naftëtarët në Kosovë paralajmërojnë rritje të çmimeve

03 shtator 2026 | 00:04

Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës ka paralajmëruar se çmimet e derivateve mund të rriten në ditët në vijim, si pasojë e rritjes së madhe të çmimeve në bursat ndërkombëtare, të ndikuara nga përshkallëzimi i tensioneve në Iran dhe kriza gjeopolitike.

Sipas Shoqatës, gjatë dy ditëve të fundit është shënuar një rritje jashtëzakonisht e madhe e çmimeve të derivateve në tregjet ndërkombëtare duke shkaktuar pasiguri dhe çrregullime në furnizim.

Shoqata bën të ditur se çmimet kanë arritur nivelin më të lartë që nga 8 prilli 2026, ndërsa aktualisht kostoja e furnizimit ka arritur rreth 1.73 euro për litër. Ky nivel, sipas tyre, në shumë raste tejkalon edhe çmimin aktual të shitjes me pakicë në pikat e karburanteve.

“Nëse kjo situatë vazhdon, rritja e kostos së furnizimit pritet të reflektohet gjatë ditëve në vijim edhe në çmimet e shitjes me pakicë. Operatorët tashmë po furnizohen me çmime dukshëm më të larta, ndërsa stoqet ekzistuese po zëvendësohen gradualisht me produkt të blerë sipas kushteve të reja të tregut”, thuhet në njoftim.

Sipas Shoqatës, presioni mbi çmimet mund të vazhdojë edhe më tej, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, rritjes së kërkesës dhe rënies së nivelit të stoqeve në Evropë, Azi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka bërë të ditur se po e përcjell me kujdes situatën dhe u ka bërë thirrje institucioneve dhe opinionit publik që këto zhvillime të trajtohen me përgjegjësi dhe mirëkuptim.

“Rritja e mundshme e çmimeve nuk buron nga tregu vendor, por është pasojë e drejtpërdrejtë e rritjes së menjëhershme dhe të jashtëzakonshme të kostos së furnizimit në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në fund të njoftimit.

Ndërkohë, Ministria e Industrisë, e Tregtisë dhe e Ndërmarrësisë (MINT) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për ditën e sotme.

Sipas njoftimit të MINT-it, çmimi maksimal i naftës është 1.70 euro për litër, benzina 1.55 euro për litër, ndërsa gazi 0.63 euro për litër.

Krahasuar me një ditë më parë, nafta sot është shtrenjtuar për 1 cent për litër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Abdixhiku tha se bashkimi me Lushtakun “nuk është LDK-ja jonë”,…