Vazhdon mbledhja e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal, nismën e mbështesin edhe deputetët e PDK-së
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po vazhdon aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në Prishtinë, në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Nismën e IKD-së e kanë mbështetur edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Në mesin e deputetëve që kanë nënshkruar nismën janë Vlora Çitaku, Blerta Deliu-Kodra, Arian Tahiri, Ariana Musliu-Shohi, Artan Behrami, Sala Jashari dhe të tjerë.
Ditë më parë, nismës i janë bashkuar edhe kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, deputeti Elmi Reçica, ish-gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka, si dhe ish-deputeti i LDK-së Nuredin Ibishi.
Ndërkohë, IKD-ja e ka zhvilluar këtë aktivitet edhe në komuna të tjera të vendit.
Më 28 dhe 29 korrik, IKD-ja ka qëndruar në Gjakovë, ku, krahas qytetarëve të shumtë, nismën e ka mbështetur edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, duke e nënshkruar atë.
Më 30 dhe 31 korrik, aktiviteti është zhvilluar në Prizren, ku nismën e ka mbështetur edhe kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj.
Më 5 gusht, aktiviteti ka vazhduar në Pejë, ku nismën e ka nënshkruar edhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri. Më pas, më 11 gusht, aktiviteti ka vazhduar në Ferizaj.
Për procedimin e nismës në Kuvendin e Kosovës nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime të qytetarëve.



