Ndërron jetë veterani i UÇK-së, Ramadan Ramadani
Ka ndërruar jetë veterani dhe kontribuesi i çështjes kombëtare, Ramadan Ramadani, i lindur më 5 dhjetor 1959.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur bashkëluftëtarët e tij, të cilët e kanë përshkruar Ramadanin si një njeri që një pjesë të jetës ia kushtoi lirisë dhe Kosovës.
Ramadani ishte pjesë e brezit që kontribuoi në luftën për lirinë e Kosovës dhe, gjatë kësaj rruge, pësoi edhe humbje të gjymtyrëve të trupit.
“Sot u nda nga ne një njeri që e dëshmoi dashurinë për Kosovën jo vetëm me fjalë, por me vepra, sakrificë dhe me një çmim të rëndë personal”, thuhet në njoftimin e për opinionin.
Varrimi i Ramadan Ramadanit do të bëhet sot, pas namazit të ikindisë, në varrezat e Dragodanit.
Njoftimi i plotë:
Ndërron jetë veterani i UÇK-së, Ramadan Ramadani
Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Ramadan Ramadanit (05.12.1959), veteranit dhe kontribuesit të çështjes kombëtare, një njeriu që një pjesë të jetës së tij ia kushtoi lirisë dhe atdheut.
Sot u nda nga ne një njeri që e dëshmoi dashurinë për Kosovën jo vetëm me fjalë, por me vepra, sakrificë dhe me një çmim të rëndë personal. Në rrugën për liri ai dha shumë nga vetja, duke humbur edhe gjymtyrë të trupit, por duke mos e humbur asnjëherë krenarinë, qëndresën dhe dashurinë për vendin e tij.
Ramadan Ramadani ishte pjesë e një brezi që qëndroi përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës sonë për liri, një brezi që sakrifikoi shëndetin, familjen dhe jetën personale që ne sot të jetojmë të lirë në tokën tonë.
Sakrifica e tij është një kujtesë se liria që gëzojmë sot nuk na është dhuruar. Ajo është ndërtuar mbi mundin, plagët, gjakun dhe sakrificën e shumë burrave e grave të këtij vendi.
Sot familja humbi njeriun e saj të dashur, miqtë humbën një mik, ndërsa Kosova humbi një veteran dhe kontribues që mbajti mbi trupin e tij plagët dhe pasojat e sakrificës për atdhe.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot, pas namazit të ikindisë, në varrezat e Dragodanit.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Ramadani, bashkëluftëtarëve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën.
U prehtë në paqe.
Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë për sakrificën e tij.
Lavdi jetës dhe veprës së tij!
Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
I përjetshëm qoftë kujtimi për Ramadan Ramadanin!



