Përcillet në banesën e fundit veterani i UÇK-së, Ramadan Ramadani
Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramadan Ramadani, i njohur nga miqtë dhe bashkëveprimtarët me nofkën “Dani”, është përcjellë sot për në banesën e fundit me nderime të larta ushtarake në varrezat e Dragodanit.
Ramadani tërë jetën ia kushtoi idealeve kombëtare, dinjitetit njerëzor dhe lirisë së Kosovës.
Ai ishte rreshtuar në radhët e UÇK-së dhe kishte marrë përsipër detyra të rëndësishme dhe kishte shërbyer me përkushtim e përgjegjësi.
Për Ramadanin, lufta për liri nuk ishte një kapitull i veçuar i jetës, por vazhdimësi e një bindjeje të thellë dhe e një ideali që e kishte ndjekur për vite me radhë.
Ramadan Ramadani u varros me nderime të larta ushtarake nga Ushtria e Kosovës, në shenjë respekti për kontributin dhe shërbimin e tij ndaj atdheut.



