Malisheva anulon ekskursionin e maturantëve në Shqipëri

20 tetor 2026 | 20:06

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëreshë Krasniqi, ka njoftuar se është marrë vendim për anulimin e ekskursionit të maturantëve të Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Shqipëri, për shkak të situatës aktuale atje pas protestave të zhvilluara.

Sipas Krasniqit, vendimi është marrë në koordinim me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe drejtorin e Gjimnazit “Hamdi Berisha”, Aziz Mazreku, pas takimit me maturantët dhe shqyrtimit të rrethanave aktuale.

Në njoftimin e saj publik, drejtoresha Krasniqi ka bërë të ditur se, pavarësisht respektimit të procedurave të parapara me udhëzimin administrativ, situata aktuale në Shqipëri nuk ofron kushtet e përshtatshme për realizimin e ekskursionit në këtë periudhë.

“Pas takimit të sotëm me ju dhe koordinimit të përbashkët, ju njoftoj se situata aktuale në Shqipëri, pas protestave të zhvilluara atje, nuk krijon kushtet e përshtatshme për realizimin e ekskursionit në këtë periudhë. Për këtë arsye, ekskursioni anulohet për këtë herë, me shpresën dhe dëshirën që situata të qetësohet dhe ne të kemi mundësi ta realizojmë atë në pranverën e vitit të ardhshëm”, ka shkruar Krasniqi.

Ajo ka theksuar se e kupton dëshirën dhe pritjet e maturantëve për këtë udhëtim, por ka nënvizuar se siguria dhe mirëqenia e tyre mbeten prioritet.

Krasniqi, gjithashtu, ka shprehur respekt për kompanitë që kanë marrë pjesë në procedurën konkurruese, veçanërisht për kompaninë fituese, duke falënderuar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.

Në fund të njoftimit, drejtoresha e Arsimit ka falënderuar maturantët për mirëkuptimin dhe maturinë, si dhe ka vlerësuar bashkëpunimin e drejtorit të shkollës, mësimdhënësve dhe prindërve.

Ajo ka shprehur shpresën se, nëse rrethanat përmirësohen, ekskursioni do të mund të realizohet në pranverën e vitit të ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
TEB Banka dhe Federata e Futbollit e Kosovës kanë rinovuar…