Prezantuesja televizive dënohet me vdekje për trafik droge
Një gjykatë në Egjipt ka dënuar me vdekje prezantuesen televizive Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë, pasi i shpalli fajtorë për përfshirje në një grup kriminal që importonte lëndë të para për prodhimin e drogave me qëllim shitjen e tyre.
Sipas mediave shtetërore egjiptiane, grupi kriminal dispononte gjithashtu armë dhe municione në mënyrë të paligjshme.
Khalifa, 39 vjeçe, është e njohur për programin televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte çështje kriminale. Ajo i ka mohuar akuzat ndaj saj, ndërsa avokati i saj ka deklaruar se do të apelojë vendimin.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet sekuestruan më shumë se 750 kilogramë lëndë narkotike, si dhe materiale të importuara për prodhimin e tyre. Prokuroria u mbështet gjithashtu në dëshmitë e 20 personave dhe prova elektronike, përfshirë biseda dhe video.
Nëntë të pandehur të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë persona u shpallën të pafajshëm.
Vendimi për dënimet me vdekje ishte shpallur fillimisht muajin e kaluar, por u konfirmua vetëm pas marrjes së opinionit fetar nga myftiu i madh i Egjiptit, një procedurë e detyrueshme në rastet e dënimeve kapitale.
Sipas një raporti të Amnesty International, gjatë vitit 2025 në Egjipt u dhanë 492 dënime me vdekje, ndërsa 23 prej tyre u ekzekutuan.



