Çitaku i përgjigjet VV-së: Konjufca e Dërguti me votat e kujt janë zgjedhur nënkryetar të Kuvendit?

09 shtator 2026 | 21:52

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku u është kundërpërgjigjur kolegëve të saj nga Lëvizja Vetëvendosje rreth sigurimit të votave për nënkryetare të Kuvendit.

Çitaku sot është propozuar nga PDK-ja për nënkryetare të legjislativit, por nga VV-ja kanë thënë se nuk do ta votojnë as atë, e as kandidatin nga LDK-ja, Kujtim Shala.

Për këtë, Çitaku ka thënë se përtej një keqinterpretimi sipërfaqësor e djallëzor të Kushtetutës, kjo tashmë po tingëllon edhe qesharake.

“Kushtetuta është e qartë. Kryetari/ja e Kuvendit i takon shumicës parlamentare. Tre nënkryetarët u takojnë tri grupeve më të mëdha parlamentare. Ata janë të propozuarit e grupeve të tyre parlamentare. Prandaj, për ju kam një pyetje fare të thjeshtë: me votat e kujt janë zgjedhur Aida Dërguti dhe Glauk Konjufca nënkryetarë të Kuvendit?! Apo Kushtetuta paska vlejtur atëherë, e sot duhet lexuar ndryshe, varësisht se kujt i konvenon?”, ka shkruar Çitaku.

Ai ka thënë se problemi nuk është ajo, e as pozita e nënkryetares.

“Problemi është shumë më i madh. LVV tashmë po kërkon ta zgjedhë edhe opozitën. Jo opozitën që e kanë zgjedhur qytetarët, por opozitën që u pëlqen atyre. Opozitën e dëgjueshme. Opozitën e pranueshme. Opozitën që ul kokën. Sepse, në thelb, oferta e tyre për opozitën është brutalisht e thjeshtë: Ose nënshtrohuni, ose do ta mbajmë Kosovën në kaos. Ose bëhuni siç ju duam ne, ose nuk ka Kuvend.”, ka thënë tutje ajo.

Çitaku ka shtuar se kjo nuk është betejë për një karrige në Kryesinë e Kuvendit, duke e cilësuar një pozitë të tillë si të parëndësishme.

“Kjo është betejë për një parim shumë më të madh: a është Kosova Republikë me institucione, Kushtetutë, shumicë dhe opozitë, apo është shtet ku një parti pretendon të vendosë edhe se kush guxon ta kundërshtojë? Dhe krejt kjo po ndodh në një prej momenteve më të rënda e më të ndjeshme për Kosovën.”, ka thënë tutje ajo.

Ajo ka përsëritur rëndësinë e konstituimit të Kuvendit, pasi Kosova sipas saj, ndodhet para aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

“Po afrohet 16 shtatori. Dita kur në Hagë nuk vendoset vetëm për katër burra. Vendoset për një pjesë të historisë sonë. Për luftën tonë. Për rrugën tonë drejt lirisë. Për mënyrën se si do t’ua tregojmë fëmijëve tanë të kaluarën dhe si do ta ndërtojmë të ardhmen. E në një moment të tillë, Kosova është pa Kuvend. Pa institucionin ku duhet të flasë populli. Pa vendin ku duhet të përballen idetë. Pa zemrën e demokracisë parlamentare. Jo pse qytetarët nuk kanë votuar. Jo pse Kosova nuk ka deputetë. Jo pse Kushtetuta nuk e tregon rrugën. Por sepse dikush, përballë opozitës, njeh vetëm dy mundësi: Nënshtrimin ose kaosin. Ne nuk do të zgjedhim asnjërën. Kosova është shumë më e madhe se pushteti i kujtdo. Dhe Republika është shumë më e shtrenjtë se çdo karrige.”, ka shkruar Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, në emisionin “Rubikon” në Klan…