Gashi: Dita e përgjegjësisë po vjen, LDK-ja duhet të rikthehet aty ku i takon
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar lidhur me zhvillimet politike në vend dhe situatën e krijuar institucionale.
Përmes një postimi në “Facebook”, Gashi ka thënë se qytetarët e Kosovës do të japin ndëshkimin politik për, siç ka thënë ai, “dy vite të humbura”, bllokadat dhe papërgjegjësinë.
“Dita e përgjegjësisë po vjen. Populli i Kosovës do ta japë ndëshkimin politik për këto dy vite të humbura, për bllokadat dhe papërgjegjësinë”, ka shkruar Gashi.
Ai ka kritikuar një parti që, sipas tij, i fiton zgjedhjet dhe më pas e bllokon vendin.
“Një parti që i fiton zgjedhjet dhe pastaj e bllokon vendin nuk ka as kuptim politik, as logjikë shtetërore. Kosova nuk mund të mbahet peng”, ka shkruar ai.
Gashi ka thënë se në këtë moment LDK-ja duhet t’u kthehet vlerave të saj dhe qytetarëve, duke e cilësuar partinë si autentike, përfaqësuese dhe të guximshme.
“LDK-ja duhet t’i kthehet vetvetes, vlerave të saj dhe qytetarëve – autentike, përfaqësuese, e guximshme dhe fituese. Koha është për bashkim, mobilizim dhe ndryshim. LDK-ja duhet të rikthehet aty ku i takon. LDK e fortë, Kosovë e fortë!”, ka shkruar Gashi.



