“Zjarri i Lirisë” shkon përtej Kosovës, ndizet për herë të parë në Gjermani

09 shtator 2026 | 23:31

“Zjarri i Lirisë” është ndezur për herë të parë edhe në diasporën shqiptare, në një aktivitet të mbajtur sonte në Langenfeld të Gjermanisë.

Aktiviteti u organizua në kujtim të personave që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, si dhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Në ndezjen simbolike morën pjesë edhe Ajet Krasniqi, vëllai i Heroit të Kosovës, Mujë Krasniqi, si dhe ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Muharrem Xhemajli.

Sipas organizatorëve, iniciativa synon të mbajë gjallë mbështetjen e bashkatdhetarëve për ish-krerët e UÇK-së dhe të përcjellë mesazhin e solidaritetit nga diaspora.

Aktiviteti është pjesë e nismës “Kosova po pret”, përmes së cilës në qytete të ndryshme evropiane është shpalosur edhe “Ora e Pritjes”, si simbol i pritjes së aktgjykimit në Hagë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se “Ora e Pritjes” do të vazhdojë deri në shpalljen e aktgjykimit më 16 shtator, kur pritet që mbështetës të procesit të mblidhen edhe në Hagë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump parashikoi të mërkurën se lufta me…