Më ka marrë malli për Ty, Heroi im

10 shtator 2026 | 09:03

Kujtime nga bashkëluftëtari Gani Nuha, për Përparim Krasniqin, 28 vjet pas rënies së tij.

Përparimin Krasniqin e kisha takuar në Bajram Curr dhe, kohë pas kohe, kisha udhëtuar me të për në Kosovë. Kësaj here ai kishte qëndruar më gjatë në Bajram Curr, sepse po priste disa armë që vinin nga Amerika.

Kishim biseduar gjatë për gjithçka. Ishte brumosur mirë me atë që ia kishte mësuar dhe shpjeguar Heroi i Kosovës, Adriani, vëlla e shok i një qëllimi. Më tregonte për Kodrën e Vranocit, për vendet kah do të kalonte kur t’i çonte ato armë, çka do të bënte dhe si do të luftonte me to.

E shihje në sy se nuk ishte duke folur vetëm me fjalë. Ai e kishte ndarë mendjen. Pikërisht më 10.09.1998, ishim përgatitur bashkë me shokët e idealit që, gjallë a vdekur, t’u dilnim në ndihmë shokëve tanë.

Unë, pikërisht në këto ditë, kisha një takim shumë të rëndësishëm me eprorë nga Shqipëria dhe Kosova. Po planifikonim të fusnim një tog prej 20 ushtarësh brenda kufirit, në pjesën e Kosovës.

Takimi kishte për qëllim koordinimin e veprimeve të togut, ndarjen e detyrave, përbërjen e njësive, llojin e armatimit, komunikimin dhe ndërlidhjen, sigurinë, lëvizjet dhe furnizimin, si dhe planin rezervë.

Por, fatkeqësisht, plani ynë mbeti pa u realizuar. Nga eprorët u informova se Dukagjini ishte në prag të rënies. Pavarësisht insistimit tim, plani dështoi dhe, me urgjencë, u kthyem në shtabin e Bajram Currit për t’i ndalur ushtarët që ishin nisur për Kosovë, për t’u dalë në ndihmë shokëve në Dukagjin.

Edhe këtu dështova, sepse ata kishin shkuar shumë larg dhe radiolidhjet që kishim nuk mundeshin të lidheshin me ta për t’u treguar se plani duhej të ndryshonte. Dukagjini pothuajse kishte rënë dhe mundësia për t’u lidhur me pjesën tjetër të ushtarëve ishte pothuajse e pamundur.

E mora Ramushin në telefon dhe e pyeta:
Ku jeni?
M’u përgjigj shkurt: Aty ku duhet me qenë.

Biseda ishte e shkurtër, por e qartë. Kishim nevojë për armatim dhe ushtarë. Ne veçse e kishim planifikuar që, brenda tri ditësh, të nisej një grup i mirëarmatosur me ushtarët më të zotë, për t’u dalë në ndihmë luftëtarëve të Dukagjinit.

Përparim Krasniqi Shabani, Xhevdet Duka, Florim Krasniqi Fuli, Rasim Mazrrekaj, Haxhi Krasniqi, Ilir Shoshi dhe Bislim Isufaj veçse ishin nisur për Kosovë, nga drejtimi i Zogajve të Tropojës drejt Dukagjinit.

Isha shumë i brengosur për situatën që kishte rrjedhur brenda disa orësh dhe nuk arrita të lidhesha me njësitin që ishte nisur në rrugë, derisa u kthye Besnik Krasniqi, i cili i kishte përcjellë deri te Mahalla e Epërme në Zogaj të Tropojës dhe më informoi për rrjedhën e situatës.

Atë natë, për fatin tim, kisha fjetur në dhomën e pritjes. Ishte diku rreth orës katër të mëngjesit kur ra telefoni. E hapa me frikë, sepse në ato kohë telefoni nuk binte kurrë me haber të mirë.
Alo, jam Fuli.
Po, Fuli.
Përparimi ka vdekur. Jemi në Spitalin e Bajram Currit.

Mbeta i shtangur.

S’thashë asnjë fjalë. As sot nuk e di qysh e mbylla telefonin pa thënë asnjë fjalë. U çova dhe shkova te dhoma e xhaxhit Besnik.

Xhaxh, s’di a jam në ëndërr a në zhgjëndërr, po kështu po duket se ka ndodhë…

Shkuam në spital. Ehh, atë pamje, more Zot, nuk e harroj kurrë sa të jem gjallë. Përparimi i shtrirë në atë krevat, në atë dhomë të spitalit… Zemra m’u ça në dysh.

E përqafova Fulin. As ai, as unë, nuk mundeshim me u përmbajtë. Në atë orë e mora në telefon Ilir Krasniqin, djalin e axhës së Përparimit dhe vëllain e Adrian Krasniqit. Ishte një moment shumë i vështirë për mua, ndër më të vështirët që kam pasur në jetë: t’ia kumtoja lajmin kobshëm.

Për disa minuta nuk tha asnjë fjalë. E luta ta merrte në telefon Lecin, Florim Krasniqin, i cili ishte në Amerikë. Por ai nuk pati forcë t’ia jepte lajmin e hidhur.

Kështu që u detyrova prapë unë ta merrja në telefon Florin dhe t’i tregoja për rastin. Dhe në atë moment pasuan disa sekonda heshtjeje që m’u dukën të gjata sa një jetë.

Sot, pas 28 vjetësh, kur e kujtoj Përparimin, më dalin para syve buzëqeshja e tij, shakatë, këshillat, bisedat, udhëtimet. Më kujtohet ai djalë i ri që mezi priste të kthehej në Kosovë, mezi priste t’i merrte armët, mezi priste të dilte në luftë.

Ai u nis me gëzim për të luftuar për Kosovën, por nuk pati fat ta shihte Kosovën të lirë. Ndoshta vdekja, padrejtësisht, e mori shumë herët. Përparim, shoku jem, 28 vjet kalun, por ti për mua je qysh ishe atëherë: i ri, i qeshur, plot jetë, plot fjalë e plot shpresë.

Sot, kur flasim për ata që ranë për Kosovën, unë nuk po flas vetëm për një emër në një pllakë. Po flas për shokun tem, për njeriun që e kam taku, me të cilin kam udhëtu, kam qeshë e kam bisedu.

Prandaj dhimbja asht ndryshe. Koha i merr vitet, por nuk i merr shokët prej zemrës. Përparim, sot veç një fjalë mundem me ta thanë: Më ka marrë malli për Ty, Heroi jem.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ABDULLAH KARJAGDIU (postmortem) Në mënyrën e tij të veçantë, emri…