Hoxha: Procesi ndaj krerëve të UÇK-së duhet të jetë i drejtë, i dinjitetshëm dhe jopolitik

11 shtator 2026 | 00:02

Eliza Hoxha nga platforma “Liria ka Emër”, e ftuar sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova, ka folur për marshin e 12 shtatorit në Prishtinë dhe mesazhin që synohet të përcillet për drejtësinë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Hoxha tha se UÇK-ja ishte një domosdoshmëri për popullin e Kosovës dhe se ajo vazhdon të mbetet pjesë e rëndësishme e identitetit dhe historisë së vendit.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë nevojë e domosdoshme e popullit të Kosovës për të mbrojtur dinjitetin e këtij populli, integritetin dhe identitetin e popullit të Kosovës. Si e tillë, në sytë e qytetarëve të Kosovës, në zemrat e qytetarëve të Kosovës, ata janë çlirimtarët tanë. Do të jenë përherë dhe ne kërkojmë që procesi të jetë i dinjitetshëm, jo i anshëm dhe jopolitik ”, deklaroi Hoxha.

Ajo theksoi se kërkesa e qytetarëve është që procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së të jetë i drejtë dhe dinjitoz.

“Kërkojmë drejtësi dhe dinjitet, sepse nuk mund të jesh në bankën e njëjtë si okupatori dhe çlirimtari. Ne nuk kemi okupuar territore, ne nuk kemi shkuar me nxit dhe me çu dhunë e luftë”, deklaroi ajo.

Hoxha tha se marshimi i 12 shtatorit synon të bashkojë qytetarët përtej dallimeve politike, me një mesazh të përbashkët për drejtësi dhe dinjitet.

“Secili ka një rol që mund ta luajë dhe ka një mënyrë se si mund të kontribuojë, të jetë një zë më shumë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në emisionin…