NATO përkujton 25-vjetorin e 11 shtatorit, ceremonia mbahet në selinë në Bruksel
NATO do të përkujtojë sot 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një ceremoni përkujtimore në Memorialin e 11 shtatorit dhe Nenit 5, në selinë e Aleancës në Bruksel.
Në ceremoni do të marrin pjesë zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, i Ngarkuari me Punë i Misionit të SHBA-së në NATO, Scott Oudkirk, si dhe Përfaqësuesi Ushtarak i SHBA-së në Komitetin Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtënant William D. “Hank” Taylor.
Ata do të mbajnë fjalime të shkurtra përkujtimore dhe do të marrin pjesë në vendosjen e një kurore me lule pranë memorialit.
Ceremonia do të kulmojë me një minutë heshtje në orën 14:46, në të njëjtën minutë kur, 25 vjet më parë, u godit Kulla e Veriut e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju-Jork.
Në nderim të viktimave të sulmeve dhe pjesëtarëve të forcave të armatosura që kanë humbur jetën që prej asaj kohe, flamujt do të ulen në gjysmë shtizë në selinë e NATO-s, në Komandën Supreme të Forcave Aleate në Evropë në Mons dhe në Komandën Aleate për Transformim në Norfolk të ShBA-së.
Sulmet e 11 Shtatorit shënuan herën e parë në historinë e NATO-s kur u aktivizua Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut. Ky nen përcakton se një sulm i armatosur ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës. NATO e aktivizoi atë më 12 shtator 2001, pas përcaktimit se sulmi ndaj SHBA-së ishte i mbuluar nga dispozitat e Nenit 5.



