Katër herë kryministër, projektet më të mëdha mbeten fjalimet e tij

13 shtator 2026 | 19:44

Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke e cilësuar qeverisjen e tij si të mbushur me propagandë, kriza dhe, sipas saj, mungesë të projekteve konkrete për Kosovën.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ismaili-Ahmeti ka ironizuar faktin që Kurti për herë të katërt po e merr detyrën e kryeministrit, duke thënë se as katër projekte madhore nuk janë për t’u mbajtur mend nga qeverisja e tij.

“Për të katërtën herë i thotë vetes kryeministër, por as katër projekte madhore nuk janë për t’ia mbajtur mend. Me sa duket, projektet më të mëdha të Albin Kurtit mbeten fjalimet e tij!”, ka shkruar ajo.

Sipas ish-deputetes së PDK-së, Kurti do të mbetet në histori si “modeli i majtistit demagog e populist”, i cili, sipas saj, ka prodhuar “propagandë me shumicë, kriza me shumicë, tradhti me shumicë dhe armiq imagjinarë me shumicë”.

Ajo ka pretenduar se gjatë qeverisjes së Kurtit nuk ka pasur ndonjë transformim konkret që ua ka përmirësuar jetën qytetarëve.

“Ndryshimi dhe shpresa që premtoi rezultuan vetëm në ndërtimin e një republike konferencash për media, videosh propagandistike dhe arsyetimesh të pafundme”, ka deklaruar Ismaili-Ahmeti.

Në fund, ajo e ka përmbledhur kritikën e saj me një tjetër deklaratë të drejtpërdrejtë ndaj Kurtit:

“Katër herë kryeministër. Katër herë dështak. Katër mandate propagandë. Me kqyrë hollë e hollë: hiç lehtë nuk e pati.”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Procesi gjyqësor në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëakuzuarve të…