Sadik Zeqiri në Hagë: Nesër presim fitore të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës
Në Hagë është krijuar një atmosferë pritjeje një ditë para shpalljes së verdiktit në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në mesin e qytetarëve që kanë udhëtuar drejt Hagës është edhe ish-i burgosuri politik, Sadik Zeqiri, i cili ka folur për atmosferën dhe pritjet para vendimit.
Zeqiri ka thënë se qytetarët janë mbledhur pranë Dhomave të Specializuara me shpresën se verdikti i 16 shtatorit do të jetë shfajësues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
“Është një pritje e cila duhet nesër të kurorëzohet me një fitore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me një fitore të popullit të Kosovës”, ka deklaruar Zeqiri.
Ai ka thënë se verdikti nuk duhet të shihet vetëm si vendim për katër ish-krerët e UÇK-së, por si një vlerësim për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Prandaj të gjithë kanë ankth, të gjithë kanë pritje që nesër të dalim faqebardhë”, është shprehur ai.
Zeqiri e ka cilësuar Dhomat e Specializuara si një gjykatë të krijuar mbi baza politike, por ka thënë se procesi ka shërbyer edhe për të hequr, sipas tij, një barrë që për vite i është atribuuar UÇK-së, veçanërisht pretendimet lidhur me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.
“Gjykata Speciale është votuar për shkak të Shtëpisë së Verdhë dhe ajo u hodh poshtë gjatë rrugës”, ka deklaruar Zeqiri.
Zeqiri ka shprehur bindjen se verdikti duhet të jetë shfajësues. “Ne presim ashtu siç është krijuar, ashtu të përfundojë dhe nesër të kemi një vendim shfajësues për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një vendim shfajësues për pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se, sipas tij, lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër dhe se mbështetja e NATO-s për ndërhyrjen në Kosovë është dëshmi e kësaj.



