Zelensky: Rusia u përpoq ta rrëzonte avionin me të cilin po udhëtoja
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy deklaroi sot se Rusia kishte tentuar dy herë, gjatë javëve të fundit, të sulmonte me dronë avionin me të cilin po udhëtonte ai.
“Avioni im presidencial ndodhej në Moldavi dhe pikërisht për këtë arsye ata sulmuan Moldavinë. Kur po ktheheshim në shtëpi – sërish përmes Kishinaut – ata bënë të njëjtën gjë,” tha ai në një intervistë për CBS News.
Sipas tij, gjatë udhëtimit të kthimit nga Moldavia në fillim të këtij muaji, një ose dy dronë hynë në hapësirën ajrore moldave – një incident që nuk ishte raportuar më parë.
Zelenskyy tha se e sheh këtë incident si pjesë të një strategjie ruse për ta frikësuar atë dhe liderë të tjerë të huaj, raporton Tanjug.
Duke folur për një sulm me dron rus ndaj një treni pasagjerësh pranë kufirit ukrainas-polak – në të cilin po udhëtonin zyrtarë të lartë të huaj, përfshirë ish-drejtorin e CIA-s, David Petraeus – Zelenskyy shprehu bindjen se forcat ruse e dinin se kush po udhëtonte në atë tren.
“Ndoshta nuk e dinin se aty kishte amerikanë, ose ndoshta, përkundrazi, e dinin. Nuk u besoj atyre. Mendoj se e dinin. Ata sulmuan pikërisht sepse në atë tren ndodheshin evropianë, amerikanë – një delegacion i madh,” beson Zelenskyy.
Fluturimi që synonte ta kthente Zelenskyy-n në Ukrainë nga Moldavia u nis me vonesë. Sipas një burimi nga media ukrainase Suspilne, brenda Zyrës së Presidentit të Ukrainës, avioni që transportonte Zelenskyy-n nuk ishte në ajër kur u pikas droni rus; përkundrazi, ai qëndroi në tokë ndërsa pala ukrainase monitoronte lëvizjen e mjeteve ajrore pa pilot.
Autoritetet moldave njoftuan më pas se droni ishte rrëzuar dhe shpërthyer rreth 160 kilometra larg Aeroportit Ndërkombëtar të Kishinaut. Në të njëjtën kohë, autoritetet moldave nuk e konfirmuan pretendimin e mëparshëm të kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, se avioni i presidentit ukrainas gjoja kishte “shpëtuar për pak” nga goditja e një droni.



