Deputetja e PDK-së: Dje, Kosova u trondit. Donika Gërvalla heshti
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se Donika Gërvalla, aktualisht ministre e Drejtësisë, për vite me radhë nuk u ndale së foluri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“I godite me akuzat më monstruoze, i sulmove me gjuhën më të ulët dhe rreth vetes mblodhe njerëz që mendojnë si ti e që sot mezi po e fshehin gëzimin për dënimin e tyre. E tani, çuditërisht, nuk e paske asnjë fjalë! Ti që nuk lë vendim të drejtësisë pa komentuar. Ti që nuk lë kundërshtar politik pa sharë e fyer. Ti që për UÇK-në ke pasur gjithmonë akuza. Pikërisht kur udhëheqësit e UÇK-së morën dënime drakonike, ministrja e Drejtësisë mbeti pa zë! Për t’i akuzuar të mjaftoi zëri; për ta kundërshtuar padrejtësinë nuk të mjaftoi as posti!”, ka shkruar Deliu në “Facebook”.
Ajo ka kërkuar nga Gërvalla që të dalë para qytetarëve dhe tash të japë përgjigje. “Donikë, dil para qytetarëve dhe përgjigju: a të shqetëson ky aktgjykim, apo heshtja jote është miratimi që nuk guxon ta shqiptosh publikisht? Ti përfaqëson drejtësinë e Republikës së Kosovës, Republikës së lindur nga lufta e UÇK-së. Kosovës nuk i ke borxh heshtje. I ke borxh përgjigje! Heshtja nuk të mbrojti. Nuk të fshehu. Të demaskoi!”, ka shkruar Deliu.



