Musliu: Kosova ka shpirt, ka rini dhe shpirti liridashës nuk vdes kurrë

18 shtator 2026 | 08:53

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar për protestat në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke shprehur kënaqësinë e saj për praninë e të rinjve të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musliu tha se prej tri ditësh po i pëlqen veçanërisht pamja e sheshit, teksa theksoi se ndihet e emocionuar kur sheh rininë e Kosovës aty.

“Ka tri ditë që fort po më pëlqen Sheshi ‘Skënderbeu’ në Prishtinë. Po më bëhet zemra mal kur po e shoh rininë e Kosovës aty”, ka shkruar Musliu.

Ajo ka thënë se, ndonëse sipas saj dikur pretendohej se të rinjtë nuk e njohin luftën, nuk u intereson e kaluara dhe nuk e duan historinë, pamjet e ditëve të fundit po dëshmojnë të kundërtën.

Musliu e ka lidhur këtë me atë që e cilëson si “zgjim” të shpirtit liridashës të Kosovës.

“Pikërisht kur menduan se e kishin vra shpirtin liridashës të Kosovës, ky shpirt po çelë prapë, po zgjohet e po bëhet edhe ma i fortë”, ka shkruar ajo.

Deputetja e PDK-së ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij, duke thënë se ata, sipas saj, po zhvillojnë “dy beteja” njëkohësisht.

“Thaçi me shokë po i bëjnë dy beteja njëkohësisht. Njërën për ta mbrojtur të drejtën tonë për Liri, e tjetrën për ta zgjuar një popull që ishte futur në një letargji të rrezikshme”, ka deklaruar Musliu.

Ajo ka vlerësuar se rinia e Kosovës po dëshmon se nuk është indiferente dhe se nuk dëshiron t’ia lërë dikujt tjetër fatin dhe të ardhmen e saj.

“Kosova ka shpirt! Kosova ka rini! Dhe shpirti liridashës i Kosovës nuk vdes kurrë! Rroftë Kosova e lirë! Rroftë UÇK-ja! Liri për Çlirimtarët!”, ka shkruar Musliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Petrit Selimi Lufta për çlirim nga regjimet shtypëse nuk…