Tahiri: Ftoj forcat politike të jenë të bashkuara për të kundërshtuar vendimin e turpshëm të Speciales

18 shtator 2026 | 13:44

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka reaguar ndaj vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një “padrejtësi historike” ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Tahiri ka deklaruar se qytetarët kanë të drejtë të shprehin revoltën dhe zhgënjimin e tyre, ndërsa ka theksuar se kundërshtimi do të vazhdojë edhe në aspektin institucional.

“Kjo është padrejtësi historike që i ka ndodhur shtetit të Kosovës, që i ka ndodhur kombit shqiptar, andaj me plot të drejtë jemi duke shprehur revoltën, dhe jemi duke reflektuar mllefin, dëshpërimin dhe zhgënjimin, dhe assesi nuk do ta pranojmë”, është shprehur Tahiri.

Ai e ka cilësuar vendimin si “skandaloz” dhe “të turpshëm”, duke theksuar se PDK-ja do të vazhdojë ta kundërshtojë atë së bashku me qytetarët e Kosovës.

“Ka qenë vendim skandaloz, i turpshëm. Hapat e ardhshëm, ne do të vazhdojmë të kundërshtojmë me qytetarët e Kosovës, por edhe në mënyrë institucionale kemi përgjegjësi”, ka thënë ai.

Tahiri ka bërë gjithashtu thirrje për unitet ndërmjet forcave politike në vend, duke kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ketë një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë çështje.

“Ftoj që me pasë unifikim, me qenë të bashkuar. Mendoj se kurrë më shumë arsye në kuptim kombëtar se sot, nuk kemi pasur. Po ashtu pres që forcat politike në Kuvendin e Kosovës kanë me qenë të bashkuara, të jemi të bashkuar të kundërshtojmë këtë padrejtësi”, ka deklaruar Tahiri.

Deputeti i PDK-së ka shprehur bindjen se, pavarësisht zhvillimeve, “populli i Kosovës do të fitojë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktgjykimi që mohoi jurisprudencën ndërkombëtare Bardhyl Mahmuti Reagimet e shumta…