Veprimtari Sali Bislimi i shkruan kryetarit të trupit gjykues të Speciales, Charles Smith: Gjykatë me dy fytyra

18 shtator 2026 | 19:53

Veprimtari shqiptar, kryetar i “Zërit Perëndimor të Kosovës”, Sali Bislimi, i cili jeton në Zvicër, u është drejtuar me një letër Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, pas dënimit të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Në letrën e tij, të datës 18 shtator 2026 dhe të dërguar nga Berna, Bislimi i drejtohet kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith, gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara, si dhe “dinjitarëve të lartë të botës”.

Bislimi ngre pyetje lidhur me përgjegjësinë për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, duke përmendur ish-udhëheqësit serbë Slobodan Millosheviq dhe Ratko Mlladiq.

“Kush janë kasapët e ish-Jugosllavisë? Millosheviçi apo? Mlladiçi sigurisht? Apo ata që luftuan kundër diktatorëve torturues të lartpërmendur?”, shkruan Bislimi.

Ai e cilëson drejtësinë ndërkombëtare si një drejtësi që, sipas tij, “ka dy fytyra”, duke kundërshtuar dënimin e Hashim Thaçit.

“Fytyrën e dënimit të Presidentit Thaçi, çlirimtar dhe moderator, i cili mishëron vlerat e NATO-s dhe një Evrope të lirë dhe demokratike. Dhe fytyrën e bashkëfajësisë me armikun serb”, thuhet në letër.

Bislimi vë në pikëpyetje mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar parimi i vetëvendosjes në këtë proces.

“Si mund të dënohet, ligjërisht, e drejta për vetëvendosje, një e drejtë thelbësore e së drejtës publike ndërkombëtare”, shkruan ai.

Ai argumenton se e drejta e popujve për liri dhe vetëvendosje nuk duhet të vihet në pikëpyetje, duke shtuar se dënimi i Thaçit, sipas tij, nënkupton edhe dënimin e këtij parimi.

Në letrën e tij, Bislimi i referohet edhe konceptit të “luftës së drejtë” të Shën Thomas Akuinit, si dhe një shembulli historik nga Franca, duke përmendur ish-presidentin francez dhe gjeneralin Charles de Gaulle dhe faljen e puçistëve të Algjerit.

Ai gjithashtu përmend Konventat e Gjenevës dhe shpreh habinë e tij lidhur me mënyrën se si, sipas tij, zbatohen sot rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Në fund të letrës, Bislimi u bën thirrje gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara në Hagë që të respektojnë, siç shprehet ai, “integritetin fizik dhe moral të atyre që e çojnë një vend drejt lirisë”.

Letra është nënshkruar nga Sali Bislimi, i cili është edhe kryetar i “Zëri Perëndimor i Kosovës” (Western Voice of Kosovo).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I dërguari i dikurshëm amerikan për bisedimet ndërmjet Kosovës e…