Musliu reagon pas identifikimit të dy të zhdukurve nga lufta: Ka dhimbje që nuk plaken kurrë
eputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka reaguar përmes një mesazhi prekës pas konfirmimit të identifikimit të mbetjeve mortore të Idriz Rrecit dhe Salih Mëziut, të cilët figuronin të zhdukur që nga periudha e luftës në Kosovë.
Musliu ka theksuar se pas 27 vitesh pritjeje të mundimshme e plot ankth për familjet, më në fund erdhi një përgjigje e dhimbshme, por e shumëpritur, transmeton Klankosova.tv.
Ajo ka theksuar se edhe pse vitet e humbura dhe dhimbja e familjeve nuk mund të kthehen, kujtimi për Idriz Rrecin dhe Salih Mëziun duhet të ruhet dhe emrat e tyre të mos harrohen.
Postimi i plotë:
Ka dhimbje që nuk plaken kurrë.
Për 27 vjet, familjet e Idriz Rrecit dhe Salih Mëziut jetuan me një pyetje të rëndë në zemër: ku janë të dashurit e tyre?
Sot, pas kaq shumë vitesh, erdhi përgjigjja.
E dhimbshme. E rëndë. Por e shumëpritur.
Idrizi dhe Salihu nuk janë më në mesin e të pagjeturve. Ata po kthehen te familjet e tyre përmes të vërtetës, pas 27 vitesh pritjeje.
Nuk mund t’ua kthejmë vitet e humbura, as dhimbjen e atyre familjeve. Por mund ta ruajmë kujtimin për ta dhe të mos lejojmë që emrat, jeta dhe sakrifica e tyre të harrohen.
Sot përkulemi me respekt para kujtimit të tyre dhe para familjeve që pritën kaq gjatë.
Për të pagjeturit tanë, kujtimi nuk shuhet.
Për të vërtetën, koha nuk mjafton për ta varrosur.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Idriz Rrecin dhe Salih Mëziun.



