Si ndodhi atentati mafioz ndaj “Tanit të Ruzhdiut”
Artan Murtaj, 44 vjeç, u vra me armë zjarri në një atentat mafioz të ndodhur paraditen e së dielës në Sarandë.
Sipas informacioneve paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona, të cilët lëviznin me motor dhe mbanin skafandra.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një kalimtar, i cili është transportuar për ndihmë mjekësore.
Artan Murtaj rezulton të jetë arrestuar në vitin 2025, pasi ishte proceduar për përkrahje të autorit, në lidhje me një rast plagosjeje të ndodhur në Sarandë.
Ai njihej ndryshe edhe me nofkën “Tani Ruzhdiut”.
Ishte arrestuar më parë për veprën penale përkrahje e autorit të krimit rezulton në një ngjarje kriminale të ndodhur në 17 korrik 2025 në lagjen nr.4 të Sarandës, ku u plagosën me armë zjarri Ernest Lama dhe Gëzim Hajdaraj nga Kamza.
Autor i plagosjes ishte Ramadan Zoto 44 vjeç, ndërkohë që Artan Murtaj, Klaus Jacaj dhe Erjon Canaj e ndihmuan atë në ngjarje dhe gjatë arratisjes. Pas kësaj ngjarje, në Sarandë nisi një sagë hakmarrje, ku u vra me tritol babai i Klaus Jacaj, Isuf Jacaj ndërkohë që pati edhe një rast shkatërrimi prone të Ramadan Zotos.
Aktualisht në burg për plagosjen e Lamës dhe Hajdaraj është Ramadan Zoto, ndërsa Artan Murtaj dhe Klaus Jacaj, të cilën u akuzuan për “përkrahje të autorit të krimit”, janë liruar para pak kohësh. Në kërkim mbetet vetëm Erjon Canaj./euronews/



