Kushtetuesja: Kuvendi u konstituua pas afatit, Qeveria u zgjodh në përputhje me Kushtetutën
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur më 23 shtator 2026 lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26, të parashtruara nga deputetët e PDK-së, Arian Tahiri dhe deputetë të tjerë.
Kërkesat kanë të bëjnë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, mënyrën e votimit të nënkryetarëve, konstituimin e Legjislaturës XI, si dhe zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur njëzëri që kërkesat të shpallen të pranueshme.
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar në nenin 66 të Kushtetutës.
Po ashtu, Kushtetuesja ka konstatuar se kalimi i këtij afati ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, kur posti është vakant, si dhe për zgjedhjen e Qeverisë, në pajtim me nenet 82, 86 dhe 95 të Kushtetutës.
Një nga pikat kryesore të vendimit është konstatimi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Gjykata ka konstatuar gjithashtu se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, në pajtim me nenin 67 të Kushtetutës.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se vendimi nr. 11-V-007, i 13 shtatorit 2026, për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës.
Kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që aktgjykimi t’u kumtohet palëve dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij nga Gjykata Kushtetuese.



