Nëse nuk zgjedhet presidenti deri më 6 tetor, këto janë dy datat e mundshme për zgjedhje
Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin lidhur me kërkesat e deputetëve të PDK-së për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë.
Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi i Kosovës është konstituuar pas kalimit të afatit kushtetues 30-ditor. Megjithatë, Gjykata ka vlerësuar se zgjedhja e Qeverisë më 13 shtator nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.
Një nga përcaktimet kryesore të vendimit lidhet me zgjedhjen e presidentit të Republikës. Sipas Kushtetueses, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.
Kjo nënkupton se Kuvendi ka kohë deri më 6 tetor për të përfunduar procedurën e zgjedhjes së presidentit.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të përcaktuar kushtetues, atëherë, sipas dispozitave kushtetuese, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Në këtë skenar, dy datat që mund të shqyrtohen për mbajtjen e zgjedhjeve janë 8 ose 15 nëntori.
Ndërkohë, Kushtetuesja ka konstatuar edhe se deputetët duhet që sa më parë të zgjedhin nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, PDK-së.
Gjykata ka refuzuar kërkesën për masë të përkohshme, ndërsa aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese.



