Ambasada e Britanisë, Serbisë: Autorët e sulmit të Banjskës të mbahen përgjegjës

24 shtator 2026 | 09:31

Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë i ka bërë thirrje Serbisë që autorët e sulmit terrorist në Banjskë të vihen para drejtësisë.

Në një postim në Facebook, Ambasada britanike ka theksuar se llogaridhënia mbetet thelbësore, duke nënvizuar se përgjegjësit, përfshirë Milan Radoiçiqin, ende nuk janë përballur me drejtësinë.

Në postim është kujtuar edhe polici i Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra gjatë sulmit. Ambasada ka vlerësuar guximin dhe profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës në reagimin ndaj sulmit dhe në rikthimin e sigurisë.

“Tre vjet pas sulmit tragjik në Banjskë, kujtojmë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili humbi jetën në shërbim të vendit të tij. Nderojmë guximin dhe profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës në reagimin ndaj sulmit dhe në rikthimin e sigurisë, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të prokurorëve të Kosovës për të vendosur drejtësinë. Llogaridhënia mbetet thelbësore. Përgjegjësit, përfshirë Milan Radoiçiçin, ende nuk janë përballur me drejtësinë. I bëjmë sërish thirrje autoriteteve serbe që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar që autorët të mbajnë përgjegjësi, pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në postimin e ambasadës.

Sot janë bërë tri vjet nga sulmi terrorist në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Edhe pse kanë kaluar tri vjet nga sulmi, Milan Radoiçiq, i cili e ka marrë përgjegjësinë për organizimin e tij, dhe dhjetëra persona të tjerë të dyshuar në këtë rast, vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot shënohet trevjetori i rënies në krye të detyrës së…