Vajza e Afrim Bunjakut: Ti je dhimbja dhe krenaria jonë më e madhe
Në akademinë përkujtimore kushtuar heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës në Banjskë, vajza e tij, Arbenita Bunjaku, ka kujtuar me dhimbje dhe krenari babain e saj.
Në fjalën e saj, Arbenita tha se për të dhe familjen, përkujtimi i kësaj dite mbetet një dhimbje e madhe, ndërsa kujtimi për babain e saj vazhdon të jetë i mbushur me dashuri dhe krenari.
“Është një nder dhe përgjegjësi, por edhe një dhimbje shumë e madhe për mua sot në këtë akademi përkujtimore të flas për babain tim, heroin Afrim Bunjakun, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës”, tha ajo.
Ajo theksoi se 24 shtatori 2023 është një datë që për Kosovën i përket historisë, por për familjen e saj është dita e humbjes së një njeriu të dashur.
“Për Kosovën ajo ditë në Banjskë është pjesë e historisë, por për mua dhe familjen time është humbja e një pjese të zemrës, humbja e babait, bashkëshortit dhe vëllait”, u shpreh Arbenita.
Duke kujtuar ngjarjen e 24 shtatorit 2023, ajo tha se babai i saj ra në krye të detyrës.
“Më 24 shtator 2023 në Banjskë, babai ynë ra në krye të detyrës duke i qëndruar besnik uniformës dhe vendit të tij”, tha ajo.
Tre vjet pas rënies së tij, Arbenita tha se mungesa e babait vazhdon të ndihet njësoj.
“Tre vite pas, mungesa e tij ndihet po njësoj. Ka një boshllëk aq të madh sa as koha, as fjalët dhe as vitet nuk mund ta mbushin dot”, deklaroi ajo.
Arbenita përcolli një mesazh në emër të familjes, duke shprehur njëkohësisht dhimbjen dhe krenarinë për të atin.
“Në emër të familjes sime them vetëm kaq: Ti je dhimbja dhe krenaria jonë më e madhe”, tha ajo./RTK



