Aktori i njohur habit me deklaratën e tij, Sylvester Stallone rrëfen për herë të parë betejën me trupin, ushqimin dhe steroidet!

28 shtator 2026 | 13:05

Pas imazhit të heroit muskuloz që ndërtoi përmes filmave “Rocky” dhe “Rambo”, fshihej një realitet shumë më i vështirë. Sylvester Stallone ka folur hapur për presionin që përjetoi gjatë viteve të tij më të famshme dhe mënyrën se si dëshira për të pasur një fizik perfekt ndikoi në shëndetin dhe marrëdhënien e tij me trupin. Në një intervistë për “The New York Times”, aktori 80-vjeçar tregoi se përgatitjet fizike për rolet ikonike shkuan shumë përtej stërvitjes intensive. Me kalimin e kohës, sipas tij, forma fizike u shndërrua nga një kërkesë profesionale në një obsesion personal.

Një nga rrëfimet më të forta lidhet me përgatitjet për “Rocky III”, kur Stallone pretendon se kishte arritur vetëm rreth 2.6% yndyrë trupore. Ai tha se në atë periudhë kishte zhvilluar bulimi dhe se ushqimi ishte bërë një tjetër burim konflikti. “U bë shumë keq. Arrita deri aty sa u bëra bulimik. Po e dëgjoni për herë të parë këtu”, rrëfeu ai, duke shpjeguar se ishte bërë aq i përqendruar te ruajtja e formës fizike, sa trupi i tij ishte kthyer në objekt të një “adhurimi obsesiv”.

Stallone foli gjithashtu pa doreza për përdorimin e steroideve anabolike gjatë asaj periudhe. Sipas rrëfimit të tij, ai i përdorte në cikle rreth gjashtëjavore dhe më pas bënte një periudhë pushimi po aq të gjatë. “Patjetër që duhej”, tha ai, duke folur për presionin që ndiente për të ruajtur atë nivel të fizikës. Megjithatë, aktori pranoi se përdorimi i substancave pati pasoja të rënda për trupin e tij.

Për Stallone, të qëndroje në atë formë për muaj të tërë nuk ishte diçka e lehtë. Ai përmendi edhe regjimin e kufizuar ushqimor që ndiqte në përpjekje për të ruajtur fizikun ekstrem, duke e përshkruar atë periudhë si një betejë të vazhdueshme me ushqimin dhe peshën. Një ndryshim i rëndësishëm erdhi me “Cop Land”, filmi i vitit 1997 ku Stallone hoqi dorë nga imazhi i heroit me muskuj dhe luajti sherifin Freddy Heflin, një personazh shumë më larg standardit fizik me të cilin publiku e identifikonte.

Aktori e ka përshkruar këtë eksperiencë si një lloj çlirimi nga presioni për të qenë gjithmonë në formën perfekte. Por karriera e tij më pas mori një tjetër drejtim dhe ai e përshkroi atë periudhë si një moment kur ndjeu se kishte “rënë nga hiri i Hollivudit”. Pavarësisht ulje-ngritjeve, Stallone mbetet një prej figurave më të identifikueshme të kinemasë amerikane. Roli i Rocky Balboas i solli nominime për Oscar, ndërsa filmi “Creed” i dha një Golden Globe për rikthimin e personazhit. Vitet e fundit, aktori është shfaqur në projekte si “Expendables 4”, “Armor” dhe “Alarum”, ndërsa ka gjetur një tjetër sukses me serialin “Tulsa King”. Në vitin 2023, historia e tij u trajtua edhe në dokumentarin biografik “Sly”, i cili përqendrohet te jeta dhe karriera e gjatë e aktorit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi të…