David Wendt merr detyrën e ambasadorit amerikan në Tiranë: “Një kapitull i ri nis në Shqipëri, aleancat tona janë më të forta kur qëndrojmë së bashku”
Një kapitull i ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës shënohet me nisjen e detyrës së Ambasadorit amerikan në Tiranë, David Wendt.
Në rezidencën zyrtare të ambasadës, Trupa e Marinsave të Shteteve të Bashkuara ngriti flamurin amerikan, në një ceremoni që shënoi fillimin e mandatit të ambasadorit të ri.
Në mesazhin e publikuar me këtë rast, Ambasada Amerikane vuri theksin te rëndësia e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe e aleancës së tyre. Sipas ambasadës, partneriteti bëhet më i fortë kur Shqipëria dhe SHBA-ja qëndrojnë së bashku, ndajnë përgjegjësitë dhe bashkëpunojnë për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.
“Një kapitull i ri nis në Shqipëri! Trupa e Marinsave e Shteteve të Bashkuara ngriti flamurin amerikan në rezidencën zyrtare, teksa Ambasadori Wendt nis detyrën e tij. Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, aleancat tona janë më të forta kur qëndrojmë së bashku, ndajmë përgjegjësitë dhe punojmë për një të ardhme më të begatë e më të sigurt për të dy vendet tona“, thuhet në reagimin e ambasades amerikane.
Nisja e mandatit të Ambasadorit Wendt vjen si një tjetër moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e ngushta mes Tiranës dhe Uashingtonit, me fokus te forcimi i partneritetit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.



