Zelensky: Koreja e Veriut po përgatit 10 mijë trupa të tjerë për Rusinë

29 shtator 2026 | 08:44

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se më shumë se 8 mijë trupa koreano-veriorë ndodhen aktualisht në territorin rus, ndërsa Pheniani po përgatit edhe 10 mijë ushtarë të tjerë për t’i dërguar në Rusi.

Zelensky tha të hënën se të dhënat e reja të siguruara nga Ukraina tregojnë se trupat e rinj po përzgjidhen për trajnim, përpara dislokimit të tyre të mëtejshëm në Rusi.

“Ne kemi gjithashtu të dhëna të reja për dislokimin e trupave koreano-veriore në Rusi. Aktualisht atje ndodhen më shumë se 8 mijë ushtarë koreano-veriorë. Përveç tyre, po përgatitet dërgimi i 10 mijë të tjerëve, të cilët po përzgjidhen për trajnim dhe më pas për t’u dërguar në Rusi”, shkroi presidenti ukrainas në X.

Zelensky kishte paralajmëruar edhe më herët se deri në 50 mijë ushtarë koreano-veriorë mund të dërgoheshin për të mbështetur Rusinë në luftën kundër Ukrainës. Ai ka kërkuar gjithashtu nga Koreja e Jugut që të rrisë mbështetjen për mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Seuli njoftoi në korrik një paketë ndihme prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën, por ajo nuk përfshinte armë vdekjeprurëse, transmeton Telegrafi.

Deklarata e re e Zelenskyt vjen në një moment tensioni mes Kievit dhe Seulit, pasi presidenti ukrainas bëri publike javën e kaluar se Ukraina kishte transferuar në Korenë e Jugut dy ushtarë koreano-veriorë të kapur gjatë luftimeve.

Koreja e Jugut shprehu keqardhje për publikimin e informacionit, duke thënë se ekzistonte një marrëveshje për ta mbajtur transferimin konfidencial. Seuli kritikoi gjithashtu deklaratën e zyrës së presidentit ukrainas, e cila mohoi ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë.

Sipas vlerësimeve ukrainase dhe koreano-jugore, Koreja e Veriut ka dërguar rreth 14 deri në 15 mijë trupa në Rusi që nga viti 2024. Pjesa më e madhe e tyre është dislokuar në rajonin e Kurskut, ku kanë ndihmuar forcat ruse në luftimet kundër trupave ukrainase.

Pheniani ka mbështetur gjithashtu Moskën me sasi të mëdha armatimesh. Sipas vlerësimeve ukrainase dhe burimeve të pavarura, Koreja e Veriut i ka furnizuar forcat ruse me miliona predha artilerie dhe mortajash, si dhe raketa balistike, sisteme artilerie me rreze të gjatë dhe sisteme raketore të shumëfishta.

Nëse pretendimi i Zelenskyt për 10 mijë trupa të rinj konfirmohet, ai do të përbënte një zgjerim të mëtejshëm të përfshirjes së drejtpërdrejtë të Phenianit në mbështetjen ushtarake të Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kosova do të jetë nikoqire e edicionit të tretë të…