Kostovicova: Gjykimet për krime lufte nuk janë të mjaftueshme

30 shtator 2026 | 08:35

Gjykimet për krime lufte nuk mjaftojnë që një shoqëri të përballet me të kaluarën, thotë Denisa Kostovicova, profesoreshë në Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE).

Ajo i bëri këto komente duke folur për protestat në Kosovë, pas aktgjykimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pas shpalljes së aktgjykimit, mijëra qytetarë dolën në rrugë për t’i mbështetur të dënuarit.

UÇK-ja ishte një formacion gueril që hyri në konflikt të armatosur me forcat ushtarake dhe policore serbe, pas disa vitesh të rezistencës paqësore të udhëheqësve politikë të Kosovës ndaj politikës së Beogradit në Kosovë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, ish-komandantë të UÇK-së, u dënuan për ndalim të paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Sipas konstatimeve të gjykatës, në mesin e viktimave kishte shqiptarë që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së, persona që dyshoheshin se bashkëpunonin me autoritetet serbe, si dhe serbë e romë.

Krimet u kryen nga prilli i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999.

Gjykata konstatoi se 96 prej personave që iu nënshtruan torturës, u vranë.

Katër të dënuarit kanë të drejtë ankese.

Në një intervistë për emisionin “Uvid” të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kostovicova flet për kufizimet e gjykimeve për krime lufte dhe ndryshimet në politikat globale, të cilat, sipas saj, e kanë dobësuar parimin se të drejtat e njeriut duhet të jenë prioritet.

Ajo, gjithashtu, krahason mbështetjen e shprehur për ish-udhëheqësit e UÇK-së me madhërimin e Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid, gjatë funeralit të tij në Beograd.

Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina – dallimet

“I vetmi dallim që shoh mes këtyre reagimeve shumë të ngjashme – për të mos thënë pothuajse identike – lidhet me mënyrën historike se si shihen konfliktet që ndodhën në ish-Jugosllavi. Edhe në studimet mbi konfliktet dhe dinamikën e tyre ekziston koncepti i konflikteve asimetrike – kur njëra palë është më e fuqishme, ndërsa tjetra më e dobët. Këtë dinamikë e kemi parë pothuajse në të gjitha konfliktet në territorin e ish-Jugosllavisë. Konkretisht, në Kosovë, pala më e fuqishme ishte pala serbe, ndërsa pala shqiptare ishte më e dobët. Kjo e fundit nisi rezistencën e armatosur dhe më pas u shfaq edhe UÇK-ja. Kjo asimetri krijon një kontekst shumë të ndërlikuar. Për shembull, kur gjykohen krimet e kryera nga pala serbe, është shumë e lehtë të manipulohet narrativi, duke pretenduar se serbët po gjykohen sepse janë stigmatizuar si “popull gjenocidal” e të ngjashme. Në të njëjtën kohë, ushqehet vazhdimisht edhe narrativi se askush nuk i njeh viktimat serbe. Në kontekstin e këtij konflikti asimetrik, pala shqiptare ishte pala më e dobët, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Por, edhe kjo mund të përdoret për manipulim: të thuhet se, meqë kjo palë ishte më e dobët, atëherë praktikisht është e pamundur që pjesëtarë të saj të kenë qenë përgjegjës për krime lufte”, thotë ajo.

Intervistën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësim lidhur me…