Kusari-Lila: Integrimi rajonal duhet të sjellë rezultate konkrete për bizneset dhe qytetarët
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në panelin e Ministrave të Ekonomisë, të organizuar në kuadër të Procesit të Berlinit në Budvë të Malit të Zi.
Në panelin ministror, ku kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, si vendi kryesues i Procesit të Berlinit, si dhe ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besart Durmishi, është diskutuar për integrimin ekonomik të rajonit dhe përshpejtimin e reformave për Tregun e Përbashkët Rajonal.
Gjatë adresimit të saj, Kusari-Lila ka theksuar se suksesi i integrimit rajonal nuk duhet të matet vetëm përmes marrëveshjeve apo zotimeve, por përmes rezultateve konkrete për bizneset dhe qytetarët.
Ajo ka përmendur, ndër të tjera, reduktimin e barrierave jotarifore, thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave, si dhe lehtësimin e qasjes në tregjet e rajonit.
Në këtë drejtim, ministrja ka theksuar potencialin që Kosova ka për të ofruar, përfshirë fuqinë punëtore të re dhe të adaptueshme, sektorin në rritje të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe kompanitë inovative.
Sipas saj, lidhja e këtyre kapaciteteve me potencialin prodhues, industrial dhe logjistik të vendeve të rajonit krijon mundësi të reja për bashkëpunim dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve në tregjet ndërkombëtare.
Kusari-Lila ka nënvizuar rëndësinë e integrimit digjital dhe lëvizjes së talenteve, duke përfshirë njohjen e kualifikimeve, lehtësimin e lëvizjes së profesionistëve dhe digjitalizimin e procedurave.
Ajo ka theksuar gjithashtu se dëgjimi i drejtpërdrejtë i bizneseve është i domosdoshëm për identifikimin dhe adresimin e barrierave që ndikojnë në veprimtarinë e tyre.
Sipas Kusari-Lilës, reformat në Kosovë duhet të ecin në të njëjtin drejtim me Tregun e Përbashkët Rajonal, Planin e Rritjes dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo ka theksuar se secila prej gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor ka potencialin e saj dhe se lidhja e këtyre kapaciteteve mund të kontribuojë në krijimin e një tregu rajonal më funksional dhe ekonomive më konkurruese.
Në këtë kuadër, objektivi është që lehtësimi i të bërit biznes në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përmes procedurave më të thjeshta, kostove më të ulëta dhe proceseve më të shpejta, të sjellë rezultate konkrete për bizneset dhe qytetarët dhe të kontribuojë në rrugën e rajonit drejt Evropës.



