Rusia përshkallëzon përplasjen me Evropën, kompanitë e huaja në shënjestër

30 shtator 2026 | 08:31

Rusia ka vendosur në shënjestër kompanitë evropiane në përpjekjen e fundit për t’u hequr pronarëve të huaj të drejtën për të administruar asetet e tyre në vend. Sipas burimeve qeveritare dhe të kompanive, Kremlini po e justifikon këtë politikë me akuzat se Bashkimi Evropian është i përfshirë në luftën në Ukrainë.

Gjatë këtij muaji, Rusia vendosi nën administrim të përkohshëm asetet e gjigantit zviceran të ushqimit Nestle, kompanisë gjermane të shitjeve me shumicë Metro AG dhe rrjetit francez të shitjeve Auchan.

“Ka ardhur koha për masa asimetrike. Le të mendojnë për masat që po marrin dhe sanksionet që po vendosin”, tha për Reuters një zyrtar i lartë qeveritar rus, i cili ka dijeni të drejtpërdrejtë për këto masa.

I pyetur se cilat kompani mund të jenë objektivi i radhës dhe nëse njësitë ruse të bankës italiane UniCredit dhe bankës austriake Raiffeisen mund të vendosen nën administrim të përkohshëm, zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, u përgjigj: “Le të kenë frikë”.

Një burim rus nga sektori korporativ, gjithashtu në kushte anonimiteti, akuzoi kompanitë evropiane se po pengojnë qëllimisht zhvillimin e aktiviteteve të tyre në Rusi, duke dëmtuar në fund ekonominë ruse.

Nga ana tjetër, një drejtues i lartë i një kompanie evropiane, pjesë e numrit gjithnjë e më të vogël të bizneseve të huaja që vazhdojnë të operojnë në Rusi, tha për Reuters se kompanitë evropiane presin që situata të mbetet e pandryshuar në periudhën e afërt.

Kremlini tha të martën se vendimet janë marrë për shkak të “nivelit në rritje të përfshirjes së këtyre vendeve jomiqësore në luftime të drejtpërdrejta në terren” kundër Rusisë, por la të kuptohet se masat mund të ndryshohen në të ardhmen.

“Për momentin, nuk shohim asnjë arsye për një kthim pas. Nuk dëgjojmë zëra të arsyeshëm që bëjnë thirrje për dialog apo për përpjekje për të korrigjuar situatën”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Bashkimi Evropian ia atribuon Rusisë dështimin për t’i dhënë fund luftës, duke thënë se Moska nuk po tregon vullnet real për të marrë pjesë në negociata serioze për paqen. Javën e kaluar, BE-ja rinovoi sanksionet ndaj më shumë se 3 mijë individëve dhe subjekteve. Deri tani, BE-ja nuk ka komentuar masat e fundit të Rusisë ndaj kompanive evropiane.

Peskov nuk dha prova apo detaje për mënyrën se si vendet evropiane janë përfshirë në operacionet ushtarake. Zyrtarët rusë kanë përmendur më herët furnizimin me armë, përfshirë prodhimin e dronëve në BE, si dhe ofrimin e të dhënave për objektivat dhe informacioneve të inteligjencës.

“Nëse pranoni se armët tuaja po përdoren kundër nesh dhe ne po i rrëzojmë ato, quajeni si të doni, por nuk kam asnjë dyshim se kjo është një luftë që po zhvillohet kundër nesh nga Evropa”, tha të martën ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Rusia kritikon gjithashtu Bashkimin Evropian për ngrirjen e rreth 210 miliardë eurove të aseteve të saj shtetërore, si përgjigje ndaj luftës, si dhe për masat ndaj aseteve të kompanive ruse në Evropë dhe vende të tjera perëndimore.

BE-ja, e cila ka mbështetur fuqishëm Ukrainën gjatë më shumë se katër viteve e gjysmë luftë, ka akuzuar Rusinë për kryerjen e sulmeve në territorin evropian. Disa zyrtarë qeveritarë dhe të inteligjencës në Evropë kanë ngritur gjithashtu shqetësimin për mundësinë e një pushtimi të ardhshëm rus. Moska i ka mohuar këto akuza.

Që nga fillimi i luftës, Rusia ka vendosur nën administrim të përkohshëm 135 kompani të lidhura me biznese të huaja, shumica dërrmuese prej tyre nga vendet e Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të përmbledhura nga agjencia ruse e lajmeve TASS. Mes kompanive të prekura më herët janë grupi francez i ushqimeve Danone dhe prodhuesi danez i birrës Carlsberg.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pse Michelangelo e paraqiti Moisiun me brirë? Pse ka majmunë…