Shmanget tragjedia: Bashkëpiloti tenton të rrëmbejë avionin e nisur për në Izrael, pasagjerët ndërhyjnë dhe bëjnë ulje emergjente në Arabi
Një fluturim i FlyDubai nga Dubai për në Tel Aviv u devijua dhe bëri një ulje emergjente në Arabinë Saudite këtë të mërkurë, pas një përleshje midis pilotit dhe bashkëpilotit, duke shkaktuar aktivizimin e një sinjali rreziku.
Një pasagjer izraelit në bordin e fluturimit FlyDubai i tha gazetës The Jerusalem Post se një pilot goditi me thikë një tjetër dhe u përpoq ta detyronte të dilte nga kabina e pilotit ndërsa avioni filloi të binte.
Zyrtarët izraelitë më vonë i thanë gazetës The Post se vlerësimi në rritje brenda Izraelit ishte se bashkëpiloti u përpoq ta rrëmbente avionin me qëllim që ta rrëzonte atë në tokë.
Pasagjeri tha se izraelitët e ulur pranë pjesës së përparme nxituan drejt kabinës së pilotit dhe luftuan me sulmuesin ndërsa avioni po zhytej. Dy pilotë të tjerë të ulur në pjesën e pasme fillimisht u dukën të shokuar. “U bërtita të iknin dhe të merrnin kontrollin e avionit”, tha pasagjeri.
Sipas pasagjerit, grupi arriti ta nxirrte sulmuesin nga kabina e pilotit dhe të fuste brenda dy pilotët e tjerë. Njëri mori kontrollin e avionit, ndërsa tjetrit iu desh më shumë kohë për t’u rikuperuar nga goditja.
Pasagjeri e përshkroi pilotin e plagosur si në gjendje kritike dhe tha se një dentist izraelit në bord e trajtoi atë dhe i shpëtoi jetën.
Fillimisht, avioni u zhduk nga sistemet e gjurmimit të fluturimit, duke ngritur shqetësime se mund të ishte rrëmbyer. Megjithatë, pas disa momenteve të tensionuara, rrethanat e incidentit u bënë më të qarta dhe avioni kreu një ulje emergjente në Arabinë Saudite.
Motivi i pilotit nuk është bërë i qartë zyrtarisht deri më tani. Një nga pasagjerët tha se udhëtarët izraelitë në aeroplan ishin ata që ndanë pilotin dhe bashkëpilotin pasi të dy u përfshinë në një përleshje të dhunshme.



