Chatbot-i i ri i qeverisë amerikane shfaq një version burokratik të poezisë së Minecraft
Chatbot-i i ri i qeverisë amerikane, i cili operon në faqen America.gov, ka tërhequr vëmendjen për shkak të një përgjigjeje të pazakontë kur pyetet për lojën Minecraft. Në vend të informacioneve administrative, boti gjeneron një monolog prej rreth 1,800 fjalësh, i cili është një ripërpunim burokratik i poezisë së njohur “End” të lojës.
Kjo poezi, e shkruar fillimisht nga autori irlandez Julian Gough, shfaqet në lojë pasi lojtari mposht Ender Dragon dhe kalon në portalin e daljes. Në versionin e chatbot-it qeveritar, struktura origjinale e poezisë është ruajtur, por përmbajtja kozmike është zëvendësuar me terminologji administrative. Për shembull, rreshtat që në origjinal flasin për dashurinë, në versionin e qeverisë janë shndërruar në referenca për kodet postare (ZIP).
Deri më tani, asnjë zyrtar nuk ka konfirmuar se kush është përgjegjës për përfshirjen e këtij teksti në sistem. Platforma America.gov, e cila u lançua të martën, mbledh të dhëna nga rreth 29,000 faqe qeveritare për të ndihmuar qytetarët me shërbime si rezervimi i kampeve, pajisja me pasaportë apo zëvendësimi i kartave të sigurimeve shoqërore.
Sipas raportimeve, ky nuk është një gabim apo halucinacion i inteligjencës artificiale, por një “easter egg” i qëllimshëm.
Në projekt ka marrë pjesë si inxhinier kryesor Edward Coristine, një ish-student i DOGE. Ndërsa versioni aktual ofron udhëzime për shërbimet qeveritare, planifikohet që vitin e ardhshëm përdoruesit të kenë mundësi të kryejnë procese të plota dhe të ndjekin progresin e tyre drejtpërdrejt në platformë.
Sipas CNBC, platforma mbështetet në teknologjitë Gemini të Google dhe Grok të Elon Musk.
Përdorimi i materialeve nga lojërat dhe animacionet nga ana e Shtëpisë së Bardhë ka qenë më parë objekt debati. Kompani si The Pokémon Company dhe figura si aktori Steve Downes kanë deklaruar se nuk kanë dhënë leje për përdorimin e përmbajtjeve të tyre në materiale politike. Megjithatë, në rastin e chatbot-it, nuk ka pasur ende reagime nga mbajtësit e të drejtave të Minecraft.



