IKD-ja vazhdon mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po vazhdon edhe sot në Prishtinë aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ekipi i IKD-së është i vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku do të qëndrojë deri në orën 18:00, për të mbledhur nënshkrimet e qytetarëve.
Sipas IKD-së, nisma ka marrë mbështetje nga një numër i madh i qytetarëve. Ditë më parë, asaj iu bashkuan edhe kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, deputeti Elmi Reçica, ish-gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Dakaj, ish-deputeti Nuredin Ibishi, si dhe figura të tjera publike.
Aktivitetet për mbledhjen e nënshkrimeve janë zhvilluar edhe në komuna të tjera të Kosovës. Më 28 dhe 29 korrik, IKD-ja ka qenë në Gjakovë, ku nismën, përveç qytetarëve të shumtë, e ka nënshkruar edhe kryetari i Komunës, Ardian Gjini.
Më 30 dhe 31 korrik, aktiviteti ka vazhduar në Prizren, ku nismën e ka mbështetur edhe kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj.
Më 5 gusht, mbledhja e nënshkrimeve ka vazhduar në Pejë, ku nismën e ka nënshkruar edhe kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri. Aktiviteti më pas ka vazhduar më 6 gusht në Gjilan, më 11 gusht në Ferizaj dhe më 12 gusht në Mitrovicë.
Përmes kësaj nisme propozohet që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet si vepër penale. Gjithashtu, propozohet ndalimi i përdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
Për procedimin e kësaj nisme në Kuvendin e Kosovës nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime të qytetarëve.



