Haradinaj: Shkarkimi i Isufajt, hakmarrje e pastër politike
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas shkarkimit të kryeprokurorit Blerim Isufaj, duke e cilësuar këtë veprim si “hakmarrje të pastër politike”.
Haradinaj, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se shkarkimi i Isufajt ka lënë pas “erë të keqe”, duke e ndërlidhur atë me deklaratat e kryeministrit në Kuvend, ku, sipas tij, ai kishte sulmuar kryeprokurorin dhe kishte mbrojtur persona të akuzuar për korrupsion.
“Po i vjen erë e keqe shkarkimit të kryeprokurorit Blerim Isufaj. Kjo erë ka kundërmuar keq në ditën kur kryeministri e sulmonte kryeprokurorin në foltoren e Parlamentit dhe mbronte të akuzuarit për korrupsion”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka deklaruar se askush nuk do të mund t’i ikë drejtësisë dhe se, sipas tij, personat që “mbrohen përmes shkarkimeve” do të përballen me ligjin.
“Ky nuk është sundim i ligjit, por hakmarrje e pastër politike ndaj kujtdo që guxon të mbrojë pavarësinë e institucioneve”, ka shkruar Haradinaj.
Në fund, ai ka thënë se Kosova nuk do të lejojë që lufta kundër korrupsionit të diktohet nga, siç e ka quajtur ai, “zyrat e politikës dritëshkurtër”.



