Sot zgjedhje në Bosnjë-Hercegovinë

04 tetor 2026 | 10:00

Qendrat e votimit janë hapur të dielën në Bosnje dhe Hercegovinë, ku mbi 3.4 milionë qytetarë me të drejtë vote po marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme. Votuesit zgjedhin anëtarët e Presidencës trepalëshe, deputetët e parlamenteve dhe drejtuesit e dy entiteteve të vendit.

Zgjedhjet po zhvillohen në një klimë të tensionuar politike, ku ndarjet etnike, problemet ekonomike, emigrimi i të rinjve dhe ngadalësimi i reformave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian janë ndër çështjet kryesore.

Për herë të parë, procesi zgjedhor po zhvillohet me identifikim biometrik të votuesve dhe skanim të fletëvotimeve. Në disa qendra janë raportuar vonesa dhe vështirësi teknike me sistemin e ri, i cili synon të rrisë transparencën dhe të parandalojë manipulimet.

Në qendër të vëmendjes gjatë fushatës ka qenë edhe Milorad Dodik, ish-president i Republika Srpska-s dhe kreu i SNSD-së. Edhe pse i ndaluar të mbajë poste publike, ai vazhdon të ketë ndikim të madh politik në entitetin serb dhe partia e tij mbetet një nga forcat kryesore politike atje.

Shumë qytetarë shprehen të zhgënjyer me politikën dhe kërkojnë më shumë vëmendje ndaj problemeve të përditshme, përfshirë standardin e jetesës dhe largimin e të rinjve.

Bosnja dhe Hercegovina, e ndarë politikisht dhe institucionalisht që nga përfundimi i luftës së viteve 1992–1995, synon të avancojë në rrugën drejt BE-së. Megjithatë, ndarjet politike dhe bllokadat e brendshme vazhdojnë të pengojnë reformat, ndërsa ndikimi i Rusisë në Republika Srpska mbetet një çështje shqetësuese për Perëndimin.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Këngëtarja shqiptaro-amerikane, Bebe Rexha, ka ndarë me ndjekësit një moment…