Cila është e vërteta e Kosovës

05 tetor 2026 | 16:37

Shkruan: Hajdin Abazi

Kur herën e fundit kam shkruar për të vërtetën e Kosovës kisha për të thënë akoma, por nuk desha të zgjatem, pasi që tema lidhej me aktualitetin dhe më dukej vetvetiu e qartë se për cilën të vërtetë e kam fjalën.

Por një mik i imi, mendimin e të cilit e çmoj së tepërmi që nga koha e burgut, me shkroi e më telefonoi dhe më tha se e kam ndal shkrimin kur duhej të vazhdohej e të konkretizohej; duhet ta vazhdosh.

Dhe kishte të drejtë.

Sepse e vërteta e Kosovës nuk është simplifikante, po përkundrazi, është shumëdimensionale.

Sigurisht ajo ka një themel që është stabil sa edhe gjeografia që quhet atdhe dhe ka një komponent determinues që quhet popull.

E vërteta e Kosovës referon te atdheu dhe te kombi shqiptar; pa këta – nuk do të kishte të vërtetë ashtu sikurse është qysh kur mban mend historia e njerëzimit e deri më sot dhe në të ardhmen.

Ashti sikurse, fjala vjen, për Gjermaninë dhe gjermanët, për Francën dhe francezët, për Britaninë e Madhe e për britanezët, për Portugalinë e portugalezët e shume popuj të tjerë.

Shqiptarët janë popull legjitim në atdheun e vet, sepse janë autoktonë dhe historia nuk një etni apo popull të ketë jetuar në këtë gjeografi përpara shqiptarëve.

Si të gjithë popujt e tjerë, shqiptarët gjithnjë dhe gjithmonë kanë dashur të jetojnë të lirë në atdheun e vet, ndaj dhe nuk kanë bërë lufta pushtuese sikurse kanë bërë grekët e lashtë apo persët në antikitet.

Por nga të tjerët ishte lakmuar atdheu i shqiptarëve, fillimisht nga grekët e lashtë e pastaj edhe nga romakët, po sidomos fatale ishte dynja e sllavëve në shekullin e gjashtë të erës së re, të cilët nga Sllovenia e deri te Serbia kanë pushtuar e sllavizuar atdheun e shqiptarëve të lashtë – ilirëve.

Deri te pushtimi otoman shqiptarët ishin faktor në Ballkan, gjë që e dëshmon lufta heroike e Gjergj Kastriotit Skënderbeut për lirinë e atdheun e që njëkohësisht ishte edhe mbrojtje e Evropës nga invazioni otoman.

Më pas Evropa i harroi shqiptarët sepse këta u integruan dhe luftuan për Perandorinë Osmane, veçse duke mos bërë thuaja asgjë për gjuhën, kulturën, arsimin e identitetin shqiptar.

Rilindja Kombëtare dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënua jo vetëm zgjimin por edhe formimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve; por Evropa nuk e njohu këtë luftë të shqiptarëve dhe u bë bashkë me osmanët për ta shtypur.

Shqiptarët po luftonin kundër një perandorie që i kishte robëruar për pesë shekuj, luftë e cila do të vazhdojë me dekada deri te formimi dhe njohja e Shqipërisë si shtet më vete; kurse pas një shekulli edhe Kosova do ta heq robërinë serbe.

Shqiptarët në ish-Jugosllavi nuk ishin bashkuar vullnetarisht, me ndonjë pakt midis kombeve për bashkëjetesë në një shtet të përbashkët, ashtu sikurse bënë serbët, kroatët e sllovenët duke krijuar një mbretëri unike e që ishin hisedarë. Shqiptarët e atdheu i tyre u pushtuan me agresion dhe u mbajtën me dhunë – të shtypur, të persekutuar, të mohuar. Ndaj dhe ata vazhdimisht e luftuan këtë gjendje, për ta hequr robërinë e për të jetuar në liri.

Në Luftën e Parë e të Dytë botërore, si dhe në periudhën midis tyre, shqiptarët luftuan me armë e kryengritje kundër pushtimit e për çlirim, sepse nuk kishte rrugë tjetër që të mbrohej substanca shqiptare dhe atdheu i pushtuar.

Në Evropë pas vitit 1960 u forcua rendi demokratik dhe liria qytetare, ku të drejtat arriheshin me kryengritje paqësore – protesta, demonstrata, marshime. Edhe shqiptarët u përcaktuan për mënyrën paqësore për t’i realizuar të drejtat për barazi kombëtare ne ish-Jugosllavi – duke u bërë Kosova republikë, gjë që e shprehin demonstratat e vitit 1968, 1981, 1982, 1983 e deri te kryengritja me marshime gjithëkombëtare në nëntor të vitit 1988, në mars e maj 1989, e më pas lëvizja politike paqësore me LDK-në dhe Ibrahim Rugovën.

Por shovinizmi serb nuk kishte racionalitet fare ndaj shqiptarëve, përkundrazi – kishte urrejtje patologjike sa donte t’i zhdukte si komb, ashtu sikurse kishte bërë me elaboratet i Ivo Andriqit dhe Vasa Çubrilloviqit sipas të cilave mbi gjysmë milioni shqiptarë me dhunë u shpërngulën për në Turqi, për ta bërë spastrim etnik të Kosovës.

Nga viti 1945 e deri në vitin 1999 – janë vrarë rreth 100 mijë shqiptarë;

janë arrestuar, marrë në pyetje, maltretuar e dënuar mbi 700 mijë shqiptarë, dënimi në total i të cilëve shkon mbi 66 shekuj burg;

në mars 1989 është suprimuar autonomia she rikthyer pushtimi absolut i Serbisë mbi Kosovën; janë mbyllur shkollat në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet duke përjashtuar nga mësimi mësimdhënësit dhe nxënësit e studentët; janë dëbuar nga puna mbi 300 mijë punëtorët vetëm pse nuk e jepnin pajtimin e tyre për pushtimin serb; nga ndjekjet, persekutimet e akuzat e stisura u detyruan të braktisin vendin rreth 300 mijë shqiptarë nga viti 1981 deri në vitin 1999.

Përpjekja paqësore mëse tridekadëshe e shqiptarëve jo vetëm nuk dha rezultat, po ajo u keqpërdor duke e shtuar e intensifikuar dhunën shtetërore duke e kthyer në një terror sistematik.

Në këto rrethana kur po i kanosej ekzistenca si komb shqiptarëve dhe kur askush nuk i dha përkrahje rezistencës paqësore të shqiptarëve për ta ndalur terrorin shtetëror të Serbisë, nga gjiri i popullit, nga njerëzit që më shumë e donin atdheun e lirinë se jetën e tyre, sikurse ishte Komandanti Legjendar Adem Jashari, u formua guerilja shqiptare – Ushtria Çlirimtare e Kosovës – UÇK.

UÇK-ja, ndonëse me njerëz vullnetar e me armatim tejet të dobët, pa kuadër ushtarak e pa përvojë organizative ushtarake, megjithatë qe e vetmja që nisi t’ia ndalë hovin terrorit të forcave agresore serbe kundër popullatës civile shqiptare.

UÇK-ja e kishte një program e një qëllim të vetëm: të çlironte atdheun e popullin nga pushtimi i një regjimi që haptazi e shprehte se donte t’i shfaroste shqiptarët; të luftone për liri për shqiptarët po edhe për të gjitha komunitetet që jetonin në Kosovë (edhe pse dihet se serbët ishin sjellë si kolon për ta ndryshuar strukturën etnike të Kosovës), nuk donte ta kthente historinë pas, po ta ndërtonte një bashkëjetesë mbi respektin e ndërsjellë, me tolerancë, të drejta e vlera humanitare.

Prandaj, lufta çlirimtare e UÇK-së në çdo aspekt ishte e drejtë po se po – sepse nuk ka luftë më të drejtë kur mbron jetën, familjen e kombin dhe për liri.

Por UÇK-ja ka bërë luftën më të pastërt të mundshme, sepse nuk e ka mbartur hakmarrjen te komuniteti civil serb i Kosovës, po ka luftuar sipas gjitha normave ndërkombëtare kundër forcave armike, agresore. Nuk ka asnjë rast të vetëm që UÇK-ja të ketë sulmuar ndonjë fshat a familje serbe apo familje shqiptare që ka bashkëpunuar me pushtuesit. Ndaj, në historinë e Evropës nuk ka pasur luftë më të pastërt se sa ajo e UÇK-së, sepse nuk ka se si të jetë!

Pikërisht kjo e ka bërë NATO-n që të bashkëpunojë në terren me UÇK-në si një aleate e vërtetë.

Madje, edhe NATO-s iu deshën 78 ditë sulme ajrore që ta bënin regjimin e Millosheviqit të kapitullonte e t’i tërhiqte forcat okupatore nga Kosova.

Më tej, flasin shifrat: rreth 400 masakra me 13500 civilë të vrarë, prej tyre 1200 fëmijë; mbi 20 mijë dhunime seksuale vajzash e grash dhe meshkujsh; qindra të zhdukur që ende Serbia i mban peng; qindra varre masive që ende nuk i tregon Serbi si përpjekje për ta fshehur krimin ndaj shqiptarëve.

Nga marsi deri në fund të majit 1999 Serbia i shpërnguli 900 mijë shqiptarë nga Kosova! Dhe në vitin 2026 nga qeveria e Beogradit do të aktualizohej politika për shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës, si një vazhdimësi gjenocidale.

Krejt kjo përbën sfondin, historinë në linja kryesore, që tregon të vërtetën e Kosovës, të ne shqiptarëve.

Të vërtetën se lufta jonë ishte e pastër dhe çlirimi e liria jonë janë kristalshëm të drejta e legjitime mbështetur në vlerat perëndimore.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës,…