Çitaku pas vrasjes së gruas dhe vëllait të saj në Gjilan: Tronditëse, e dhimbshme dhe e papranueshme

09 tetor 2026 | 19:23

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse, të dhimbshme dhe të papranueshme.

Në një postim, Çitaku ka thënë se dy viktimat dyshohet se janë vrarë nga bashkëshorti i gruas.

Ajo ka theksuar se, pavarësisht arritjeve në fuqizimin e grave dhe përfaqësimit të tyre në institucionet e larta, shoqëria vazhdon të ketë shumë punë për të bërë në luftimin e dhunës ndaj grave.

“Gratë nuk fuqizohen vetëm në Prishtinë, në zyra e në institucione. Fuqizimi nuk matet vetëm me numrin e grave në pozita të larta. Gruaja është vërtet e barabartë dhe e pavarur vetëm atëherë kur e ka këtë të drejtë në çdo qytet e në çdo fshat, në çdo familje e në çdo rrethanë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka bërë thirrje që shoqëria të mos kërkojë motive për ta shpjeguar dhunën, të mos i fajësojë viktimat dhe të mos e relativizojë krimin.

“Asnjë motiv nuk e arsyeton dhunën. Asnjë rrethanë nuk e justifikon vrasjen. Dhe asnjë grua nuk duhet të paguajë me jetën e saj për të drejtën për të qenë e lirë”, ka theksuar Çitaku.

Në fund, ajo ka shprehur dhimbje për viktimat dhe familjet e tyre, duke e cilësuar rastin edhe si arsye për revoltë ndaj dhunës.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Personi që mbeti i plagosur nga të shtënat në Livoç…