Ulutas dorëzon komandën: Siguria e qëndrueshme në Kosovë arrihet përmes politikës, jo ushtrisë
Komandanti në largim i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka deklaruar se siguria e qëndrueshme në Kosovë kërkon zgjidhje politike dhe dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në ceremoninë e dorëzimit të komandës te pasardhësi i tij, gjeneralmajori italian Roberto Vergori, Ulutaş ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të garantojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët.
“Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake. Ajo është politike. Prandaj, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në këtë drejtim, përfshirë mbështetjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Ulutaş, njofton KFOR.
Ai ka vlerësuar se situata e sigurisë është dukshëm më e mirë se në vitin 1999, por ka theksuar se KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë dhe i gatshëm të ndërhyjë në rast të rrezikimit të stabilitetit.
Ulutaş ka përmendur edhe përshtatjen graduale të pranisë së KFOR-it, e cila, sipas tij, po zhvillohet në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Në fjalimin e lamtumirës, ai ka falënderuar ushtarët, institucionet e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij.
Komanda e KFOR-it do të vazhdojë nën udhëheqjen e gjeneralmajorit italian Roberto Vergori.



