ShBA nis hetim ndaj pesë televizioneve pas bojkotimit të aktiviteteve të Trumpit
Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara ka nisur një hetim ndaj pesë rrjeteve të mëdha televizive, për të përcaktuar nëse kanë shkelur ligjet federale të konkurrencës, pasi ndërprenë përkohësisht mbulimin e përbashkët të aktiviteteve të presidentit Donald Trump.
Sipas raportimit, ABC, CBS, CNN, NBC dhe Fox News janë ftuar të dorëzojnë komunikimet që lidhen me këtë veprim, i cili mund të përbëjë shkelje të ligjit Sherman, që ndalon marrëveshjet antikonkurruese mes kompanive.
Vendimi për ndërprerjen e përkohshme të mbulimit erdhi muajin e kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të administratës Trump për t’ua hequr akreditimin gazetarëve të CNN-it, MS Now dhe Politico-s.
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë ka konfirmuar se Divizioni i Antitrustit po shqyrton nëse organizatat mediatike kanë shkelur legjislacionin në fuqi. Deri më tani, rrjetet televizive nuk kanë komentuar publikisht hetimin.
Përplasjet mes administratës Trump dhe mediave janë intensifikuar muajt e fundit. CNN, MS Now dhe Politico kishin humbur përkohësisht qasjen në Shtëpinë e Bardhë, pasi presidenti i akuzoi për publikimin e pretendimeve të pavërteta për administratën e tij.
Aksesi u rikthye më vonë, pas një vendimi gjykate, ndërsa mediat kishin ngritur padi duke argumentuar se kufizimi cenonte lirinë e shtypit, të mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.
Administrata Trump është përfshirë gjithashtu në një betejë ligjore me agjencinë Associated Press, pasi kjo e fundit vazhdoi të përdorte emërtimin “Gjiri i Meksikës”, në vend të “Gjiri i Amerikës”, të preferuar nga presidenti.
Hetimi ndaj pesë rrjeteve televizive përbën një tjetër zhvillim në përplasjen mes administratës amerikane dhe mediave, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë nëse veprimi i përbashkët i televizioneve përbënte shkelje të ligjeve federale të konkurrencës.



