CNVP Kosova dhe AMMK diskutojnë për menaxhimin e Parqeve Kombëtare në Kosovë
CNVP Kosova, në bashkëpunim me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ka organizuar një takim teknik dhe institucional për të diskutuar aspektet ligjore, institucionale dhe të planifikimit hapësinor në menaxhimin e Parqeve Kombëtare në Kosovë.
Takimi u mbajt në kuadër të projektit “Formësimi i së Ardhmes së Rajonit të Bjeshkëve të Nemuna (2025 – 2028)” dhe mblodhi përfaqësues institucionalë, si dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, me qëllim të shkëmbimit të përvojave, diskutimit të sfidave ekzistuese dhe identifikimit të mundësive për përmirësimin e menaxhimit të qëndrueshëm të Parqeve Kombëtare.
Diskutimet u përqendruan në katër fusha kryesore, duke përfshirë sfidat dhe boshllëqet në menaxhimin e Parqeve Kombëtare në Kosovë, si dhe kufizimet në zbatimin e Planit të Menaxhimit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Një pjesë e takimit iu kushtua edhe përvojave ndërkombëtare dhe praktikave të mira në menaxhimin e parqeve kombëtare në Gjermani.
Në këtë kontekst, u trajtuan 30 vitet e dinamikës natyrore dhe ndikimet e brumbullit të lëvores në Parkun Kombëtar “Harz”.
Po ashtu, u diskutua për forcimin e kornizës së politikave përmes zhvillimit të Dokumentit të Konceptit për Parqet Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”, me fokus në përfshirjen e palëve të interesit, identifikimin e sfidave kryesore dhe përcaktimin e mundësive për përmirësim.
Në fokus ishte edhe planifikimi hapësinor në zonat e mbrojtura, veçanërisht përvoja ndërkombëtare në trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe forcimin e mekanizmave të planifikimit hapësinor.
Përmes dialogut dhe shkëmbimit të njohurive, takimi synoi të nxisë bashkëpunim më të fuqishëm ndërinstitucional, të identifikojë zgjidhje praktike dhe të kontribuojë në një menaxhim më efektiv të Parqeve Kombëtare të Kosovës.
Organizatorët theksuan se mbrojtja e natyrës kërkon më shumë sesa politika dhe plane. Ajo kërkon koordinim ndërmjet institucioneve, planifikim të mirëfilltë dhe angazhim të përbashkët për ruajtjen e trashëgimisë natyrore për brezat e ardhshëm.



