Dosja e Prokurorisë: Geci kanosi Mehmetajn me fjalët “nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra”

14 tetor 2026 | 12:29

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-deputetit Gani Geci për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.

Në kërkesën që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi“, thuhet se kanosja ndodhi në zyrat e portalit “Vox Kosova”.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 11 tetor 2026, rreth orës 19:27, në zyrat e portalit “VOX Kosova” në Prishtinë, për shkak të një postimi të publikuar nga gazetari Lirim Mehmetaj në rrjetin social Facebook lidhur me deputetin Fatos Geci, me qëllim që ta detyrojë të dëmtuarin ta largojë ose ta ndryshojë përmbajtjen e postimit, pasi ky i fundit kishte refuzuar kërkesën e tij, thuhet se ka kanosur drejtpërdrejt me fjalët: “Nëse nuk e hek postimin ose nuk e ndryshon, kena me u vra“.

“…duke ia përsëritur kërkesën me fjalët: “Pash një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”, thuhet në kërkesë.

Më tej, thuhet se më 12 tetor 2016 derisa i dëmtuari ishte në emisionin “Debat Plus” në cilësinë e panelistit, i dyshuari Geci kishte shkuar në afersi të TV Dukagjinit, ku edhe kishte postuar video në rrjetin social Tik-Tok për t’ia bëre me dije të dëmtuarit se ndodhej aty dhe e kishte pritur përreth dy orë që të dilte nga studio.

Me këto veprime, ka shkaktuar tek i dëmtuari ndjenjën e frikës, ankthit e pasigurisë.

Andaj, për këto veprime, Gani Geci dyshohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin…